Goditje ndaj ndërtimeve pa leje në Sarandë, 12 masa sigurimi për policë, zyrtarë vendorë dhe biznesmenë

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar në gjyq pesë persona, mes tyre ish-drejtues dhe inspektorë të Inspektoratit Vendor të Mbrojtjes së Territorit (IVMT) në Bashkinë Sarandë, si dhe subjektin dhe personin e përfshirë në ndërtimet e paligjshme në zonën e mbrojtur të Butrintit.
Hetimet janë drejtuar nga prokurorja Esmeranda Basho, e cila ka administruar provat dhe ka ndërtuar dosjen hetimore që çoi në ngritjen e akuzave për “Shpërdorim detyre”, “Ndërtim të paligjshëm”, “Pushtim toke”, “Shpërdorim të tokës” dhe “Dëmtim të habitateve në zonat e mbrojtura mjedisore”.
Sipas Prokurorisë, në kuadër të procedimit penal nr. 416 të vitit 2023, u provua se në zonën e Ksamilit, në vendin e njohur si “Kanali i Vivarit”, janë kryer ndërtime në një sipërfaqe të konsiderueshme pa leje nga Agjencia e Zhvillimit të Territorit dhe pa kontratë me Agjencinë Kombëtare të Bregdetit.
Kanali i Vivarit ndodhet brenda Parkut Kombëtar të Butrintit dhe gëzon statusin e Monumentit të Natyrës, një zonë me mbrojtje të veçantë ligjore për shkak të vlerave të saj mjedisore dhe natyrore.
Sipas hetimeve, punonjësit e IVMT-së nuk kanë ndjekur procedurat ligjore për evidentimin e plotë të punimeve dhe nuk kanë marrë masat administrative që parashikon ligji, përfshirë vendosjen e gjobave ndaj subjektit që kryente ndërtimin.
Për këtë çështje janë dërguar në gjyq:
– R.P., i akuzuar për veprat penale “Ndërtimi i paligjshëm”, “Pushtimi i tokës”, “Shpërdorimi i tokës” dhe “Dëmtimi i habitateve në zonat e mbrojtura mjedisore”;
– Personi juridik “Laguna Invest”, i akuzuar për “Ndërtim të paligjshëm” dhe “Pushtim të tokës”;
– E.Z., B.K. dhe V.X., me detyrë inspektorë të IVMT-së në Bashkinë Sarandë në kohën e kryerjes së veprës penale, të akuzuar për “Shpërdorim detyre”;
– A.M., me detyrë kryeinspektor i IVMT-së në Bashkinë Sarandë në kohën e ngjarjes, i akuzuar për “Shpërdorim detyre”.
Dosja konsiderohet një prej rasteve më të rëndësishme të hetuara nga Prokuroria e Sarandës në fushën e mbrojtjes së territorit dhe mjedisit, pasi lidhet me ndërhyrje të paligjshme në një nga zonat më të mbrojtura dhe më të rëndësishme natyrore e turistike të vendit.
Prokuroria e Sarandës ka theksuar se do të vijojë ndjekjen penale të çdo rasti që cenon zonat e mbrojtura, pasuritë natyrore dhe zbatimin e ligjit nga funksionarët publikë të ngarkuar me mbrojtjen e territorit.


