Mjekët në protestë: Bluzat e bardha s’mund të mbahen në birucë me ata që vrasin

Vijon protesta e bluzave të bardha të spitalit të "Traumës", për të dytën ditë rradhazi, për dy kolegët e arrestuar për korrupsion pak ditë më parë. Mjekët, duke vënë në dukje që kanë paga të ulëta u shprehën se është e padrejtë që dy kolegët e tyre të dënuar me burg për operimin e të plagosurit në masakrën e Velipojës, në këmbim të një shume të majme parash, të mbahen në "birucë" me ata që vrasin.
“Pas kësaj marrja apo dhënia e mendimeve individuale e secilit prej nesh nuk përbën pjesë të sindikatës. Gjatë ditës së djeshme ka pasur mendime të ndryshme. Ne jemi zyrtarisht këtu me deklaratën që ne kemi.
Me qëllim që të mos ketë keqinterpretime të publikut. Sindikata po bën një punë për të bërë të mundur ndërgjegjësimin në qytetet të tjerë. Duam të tregojmë që deri në momentin e gjetjes së provave mjekët të mos qëndrojnë në burg. Nuk janë kriminelë. Nuk mund të qëndrojë në të njëjtën birucë edhe ai që e ka vrarë personin edhe ai që e shëron.
Ne marrim mendime të anëtarësisë. Vendimi do jetë kolegjial. Kjo do jetë hap pas hapi. Ne dje u mblodhëm për të vetmin fakt që të solidarizohemi me ata mjekë që në mënyrë abuzive të mbahen në burg. Ne u mblodhëm për të vetmen gjë, një përkrahje dhe zgjidhjen e problemit. Imagjinoni se çfarë terrori po shkaktohet te mjekët që mundohen të bëjnë punët e tyre. Tani të gjithë janë të tmerruar sepse pas operacionit do i shpjegojnë familjarëve se çfarë ndodhi ndërsa tani paragjykohet. Takimi i mjekut me familjarin konsiderohet akt korruptiv.
Nuk përkrahim akte korruptive por të drejtat e profesionistit nuk mund të shkelen. Problematika që po ndodhin si pasojë e shumë arsyeve po ndikojnë në vendin e punës ose për largimin nga Shqipëria. Ne pretendojmë që një bashkëbisedim të na çojë aty ku duhet. Sot jemi vendi i fundit në Europë për pagën e mjekut. Një mjek duhet të përgjigjet për 2.5 pacientë për mjekë, ne e kemi mbi 4. Ne kemi normë më të madhe të punës dhe paguhemi shumë më pak”, u shpreh mjeku.


