Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë paralajmëron: Kujdes SMS-të mashtruese për gjoba false

Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ka paralajmëruar qytetarët për disa mesazhe mashtruese që po qarkullojnë së fundmi në emër të institucioneve shtetërore.
Përmes një njoftimi në rrjetet sociale, ministria bëri me dije se qytetarëve po u dërgohen SMS në emër të Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor, të cilat përmbajnë lidhje të dyshimta për gjoba apo pagesa.
Autoritetet u kanë bërë thirrje qytetarëve që të tregojnë kujdes dhe të mos klikojnë asnjë link të përfshirë në këto mesazhe.
Ministria theksoi se çdo komunikim zyrtar duhet të verifikohet vetëm përmes kanaleve zyrtare të institucioneve përkatëse.
Njoftimi i MIE:
KUJDES NGA SMS-TË MASHTRUESE!
Ditët e fundit, po qarkullojnë mesazhe mashtruese në emër të MIE dhe DPSHTRR. Këto SMS që mbërrijnë në telefonat e qytetarëve përmbajnë linqe të dyshimta për “gjoba” apo pagesa.
Tregoni kujdes!
Mos klikoni linkun
Mos jepni të dhëna personale apo bankare
Fshijeni menjëherë mesazhin
Kujdes: faqet zyrtare shtetërore përfundojnë vetëm me .gov.al
Për çdo verifikim përdorni vetëm kanalet zyrtare si e-Albania
Shpërndajeni për të informuar edhe të tjerët!



