I morën 55 mijë euro të pandehurit për ta shpëtuar nga burgu, GJKKO kalon për gjykim dy ish-prokurorët dhe 2 biznesmenët

Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka pranuar kërkesën e SPAK dhe ka kaluar për gjykim dosjen ndaj ish-drejtuesit të Prokurorisë së Sarandë, Kledian Llaho, avokatit Çlirim Shahini dhe biznesmenëve Vasil Bakalli dhe Pando Papuçi.
Sipas hetimeve të SPAK, katër të pandehurit akuzohen për korrupsion dhe ushtrim të ndikimit të paligjshëm ndaj funksionarëve të drejtësisë.
Prokuroria pretendon se Llaho ka përdorur funksionin e tij për të favorizuar persona nën hetim në këmbim të përfitimeve financiare.
Në një nga rastet e dokumentuara, një shtetas me inicialet M.A., i hetuar për “shpërdorim detyre”, dyshohet se kishte detyrime financiare ndaj vjehrrit të ish-prokurorit për një investim në një hotel.
Sipas dosjes hetimore, Llaho i ka kërkuar këtij shtetasi që shumën prej 1.8 milionë lekësh t’ia kthente vjehrrit të tij përmes biznesmenit Vasil Bakalli, duke i premtuar favorizim në hetim.
Hetimet përfshijnë edhe biznesmenin Pando Papuçi, i cili dyshohet se ka dhënë 30 mijë euro ryshfet për të ndikuar në çështjen e tij penale.
Po ashtu, sipas SPAK, Papuçi i ka dhënë edhe 25 mijë euro avokatit Çlirim Shahini, i cili kishte premtuar ndikim te gjyqtarja e çështjes.
Në seancën paraprake të zhvilluar më 6 maj, gjyqtarja Engjëllushe Tahiri vendosi kalimin e dosjes për gjykim.
Ndërkohë, Pando Papuçi ka kërkuar gjykim të shkurtuar.


