Me kokë ulur në kafazin e qelqtë/ Mori peng fëmijët, lihet në burg Aleks Marku

40-vjeçari që mbajti peng dy fëmijët e tij të mitur dhe që qëlloi me armë ndaj policisë është paraqitur sot në Gjykatë për tu njohur me masën e arrestit.
Trupa gjykuese i komunikoi Markut masën “arrest në burg”. Seanca gjyqësore u drejtua nga gjyqtari Shkëlzen Licaj, ndërsa prokuroria përfaqesohej nga Sokol Nishani. Seanca u zhvillua me dyer te mbyllura.
Aleks Marku, 40-vjeçari i cili dy ditë më parë terrorizoi fëmijët e tij në një apartament me qira në zonën e Shkëmbit të Kavajës në Durrës dëshmoi dje para hetuesve. Ai pranoi se ka pasur konflikte me bashkëshorten, Bardha Marku dhe pretendoi se kjo e fundit kishte lidhje me dikë tjetër.
Ndërkohë që pohoi se në apartmentin ku shkoi mori fëmijët sepse donte t’i largonte nga i dashuri i gruas.
Aleks Marku: Unë me fëmijët kam katër ditë që qëndroja në shtëpi në plazh dhe fëmijët ishin shumë mirë me mua. Gruaja kishte ikur në Itali dhe kemi disa kohë që kemi debate me njëri-tjetrin. Nga debati i fundit që patëm ajo u largua për në Itali dhe unë mora fëmijët dhe erdhëm në Durrës. Ajo ka dashnor dhe prandaj doja t’i largoja fëmijët.
Dje në shtëpi kanë ardhur dashnorët e saj për të na sulmuar dhe unë prandaj dola në dritare duke qëlluar që të largoheshin. Nuk i kam bërë gjë fëmijëve, thjesht djalin e mora me vete në ballkon kur po qëlloja, që ta kisha dëshmitar. Nuk jam treguar i dhunshëm me fëmijët.
Edhe bashkëshortja e tij Bardha Marku pohoi se ka patur konflikte të vazhdueshme me të shoqin dhe se tani ajo kërkon urdhër mbrojtje, pasi ka frikë nga reagimi i te shoqit, kur ai të dalë nga burgu.
Bardha tha se bëri denoncimet në polici ndaj të shoqit, pasi kishte frikë, kur dëgjonte lajme të rënda duke iu referuar dhunës dhe vrasjeve në familje.
Ajo tha gjithashtu se nuk është dhunuar fizikisht nga i shoqi, por vetëm psikologjikisht. Por Bardha Marku insiston se i shoqi nuk mori peng fëmijët dhe thekson se çifti kishin rënë dakord që fëmijët t’i mbante Aleks Marku 40 vjeç, pasi ajo shkoi në Itali për çështje dokumentacioni.


