Mbyllet Matura Shtetërore, 26 mijë maturantë në provimin me zgjedhje: Test i nivelit mesatar dhe kontrolle të rrepta

Rreth 26 mijë maturantë në të gjithë vendin iu nënshtruan këtë të martë provimit të fundit të Maturës Shtetërore 2026, atij të lëndës me zgjedhje.
Nxënësit kishin mundësinë të zgjidhnin mes një game të gjerë lëndësh, sipas prirjeve dhe planeve të tyre për studimet e larta, nga lëndët shoqërore deri tek ato shkencore.
Report TV ishte të gjimnazi “Qemal Stafa”, ku pjesa më e madhe e maturantëve kishin zgjedhur Ekonominë dhe Biologjinë, me synimin për të vazhduar studimet në degët mjekësore, të lidhura me teknologjinë apo edhe shkencat ekonomike.
Zgjodha Ekonominë. Provimi nuk ishte i vështirë, ishte brenda standardeve”, tha maturantja.
“Dhashë Biologjinë. Ishte nivel mesatar”, tha një tjetër.
Ndryshe nga vitet e mëparshme, kur variantet e tezave qarkullonin me shpejtësi në rrjetet sociale, këtë vit procesi është zhvilluar pa këto incidente.
“Kontrolli ishte i rreptë, nuk ka linin as të lëviznim”, tha maturanti.
I vetmi rast ishte ai i provimit të Gjuhës Shqipe dhe Letërsisë, ku një tezë u publikua në rrjet. Sipas Ministrisë së Arsimit, testi kishte dalë nga një qendër provimi në qarkun e Kukësit dhe maturanti u përjashtua nga provimi.
Provimi i lëndës me zgjedhje shënon fundin e një maratone testimesh që maturantët zhvilluan gjatë muajit qershor. Ata iu nënshtruan katër provimeve gjithsej, tre të detyrueshme, Gjuhën e Huaj, Gjuhën Shqipe dhe Letërsi, Matematikën si dhe provimit të lëndës me zgjedhje.
Që nga nisja e procesit të Maturës Shtetërore 2026, në total janë përjashtuar 29 nxënës për shkelje të rregullores së provimeve


