Berisha: Mbështesim pesë kërkesat, Parlamenti duhet të merret vetëm me shqetësimet e paraqitura nga tubuesit

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, deklaroi se mbështet kërkesat e prezantuara nga protestuesit një ditë më parë. Në një konferencë me gazetarët, Berisha deklaroi se demokratët janë në protestë me qytetarët dhe se deputetët, nga ana tjetër, do të bëjnë gjithçka për të plotësuar kërkesat e tyre.
“ Kërkesat e paraqitura dje u garantojnë protestuesve se do të konsiderohen me seriozitetin më të madh, si në aktivitetin tonë direkt kombëtar, ashtu edhe në aktivitetin tonë ndërkombëtar. Dua të theksoj këtu se ne, në të gjitha lidhjet tona dhe aktivitetet ndërkombëtare, kemi mbrojtur kauzën e drejtë të protestuesve. Jemi të gatshëm t’i trajtojmë me seriozitetin më të madh dhe insistojmë që Parlamenti të ndërpresë çdo lloj aktiviteti tjetër dhe të merret me trajtimin e kërkesave të drejta të protestuesve, të protestës së rinisë dhe qytetarëve shqiptarë.”
Ndërkaq, Berisha akuzoi kryeministrin Edi Rama se po përdor kamerat e projektit “Smart City” për të përgjuar qytetarët që janë në protestë prej më shumë se tre javësh, njësoj si në kohën e diktaturës komuniste.
“Këtu keni një kamerë robotike që survejon ditë e natë protestën, kryengritjen paqësore të qytetarëve dhe rinisë shqiptare. Të tilla kamera janë vendosur në të katër anët e Tiranës dhe që të gjitha janë jo në dispozicion të bashkisë, por në dispozicion të shtetit policor dhe Policisë së Shtetit.”
Kryetari i PD komentoi edhe intervistën e kryeministrit Rama për “Financial Times” dhe fjalorin e përdorur nga shefi i qeverisë.
“Sharja e tij ishte shokuese për gazetaren dhe audiencën e pranishme. Edi Rama nuk sillet si padrino, por shumë më keq se padrino i Shqipërisë. Edi Rama e konsideron Shqipërinë një sulltanat të kohërave të shkuara, në të cilin vetë ai bën sulltanin, gjykatësin, policin dhe çdo funksion tjetër.”
Një ditë më parë, protestuesit shpallën zyrtarisht kërkesat drejtuar kryeministrit Rama. E para është dorëheqja e panegociueshme e Edi Ramës dhe krijimi i një qeverie tranzitore, jopartiake, me mandat njëvjeçar; po ashtu, ndryshimi i Kushtetutës, Kodit Zgjedhor dhe ligjit për financimin e partive, si dhe kufizimi i ushtrimit të detyrës së Kryeministrit në dy mandate.
Protestuesit kërkojnë gjithashtu shfuqizimin e “Paketës së Maleve” dhe ligjit “Për investimet strategjike”, anulimin e ndryshimeve në ligjin “Për zonat e mbrojtura” dhe anulimin e ndryshimeve në ligjin “Për trashëgiminë kulturore”.


