Makina kontrabandë nga Anglia, policia mësyn në servisin e të riut, sekuestrohen 11 “Benz”-a
Shiste pjesë automjetesh të kontrabanduara nga Anglia dhe fshihte të ardhurat nga ky biznes, procedohet penalisht 31-vjeçari. Sekuestrohen 11 automjete tip “Benz”.
Si rezultat i administrimit të menjëhershëm të inteligjencës policore, se një shtetas shiste pjesë automjetesh të kontrabanduara, në servisin e tij në fshatin Kryebushat, specialistët për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare të DVP Shkodër, në kuadër të operacionit “Informaliteti”, goditën këtë veprimtari të kundërligjshme.
Për rastin u referuan materialet procedurale në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë një 31 vjeçar, banues në fshatin Shjezë.
Merr lajme ekskluzive në Whatsapp
Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Whatsapp duke klikuar këtu.
Pas kontrolleve dhe verifikimeve në servisin e 31-vjeçarit, shërbimet e Policisë sekuestruan 11 automjete tip “Benz”, të dyshuara të kontrabanduara nga Anglia, me qëllim shitjen në pjesë, aktivitet për të cilin, ky shtetas nuk deklaronte të ardhurat.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Ruajtja ose depozitimi i mallrave kontrabandë”, “Tregtimi dhe transportimi i mallrave që janë kontrabandë” dhe “Fshehja e të ardhurave”.