Majko fjalë zemre për ikjen e Bujar Bukoshit: Ishte kryeministri i parë i një shteti që nuk ekzistonte
Politikani i lartë socialist dhe ish-kryeministri i Shqipërisë, Pandeli Majko ka shkruar një mesazh ngushëllimi me fjalë zemre për ndarjen nga jeta të kryeministrit të parë të Kosovës, Bujar Bukoshi i cili mbylli sytë përgjithmonë në moshën 78 vjeçare.
“Bujar Bukoshi ka ndruar jetë! Kryeministri i parë i Republikës së Kosovës ka qenë një njeri që tejkaloi veten! Vdekja për cilindo është ajo që ndodh në fund! Për Bujarin, është stacioni i fundit për të kuptuar si bëhet njeriu ai që është!
Bujar Bukoshi ishte një zgjedhje e mençur e Ibrahim Rugovës në rrugën e vështirë që Kosova kishte përpara! Edhe për këtë arsye Bujari u bë kryeministri Bukoshi i cili pati një jetë të paprecedentë për të parë të gjitha të vertetat që një individ mund të duroj!
Bujar Bukoshi ishte kryeministër i një shteti që nuk ekzistonte duke qenë një “lajmës” i çuditshëm për atë që po vinte për Kosovën! E shkuara është peshë! Nuk mund të “notosh” po nuk e mbajte mbi shpinë”, shkruan Pandeli Majko.
Bujar Bukoshi prej vitesh ka jetuar në Gjermani, ndërkohë që frymën e fundit e dha mëngjesin e sotëm, rreth orës 05:00, në shtëpinë e tij në Prishtinë. Ai ka ndërruar jetë pas një kalvari të gjatë me një sëmundje të rëndë.
“Në kohët kur duket se na përkufizojnë gënjeshtrat dhe sekretet, Bujar Bukoshi është ndër të vërtetat që ka prodhuar historia e Kosovës! Kopja tingëllon si një melodi e kënduar nga një fëmijë, e kompozuar nga dikush tjetër!
Sot, Kosova ka humbur një politikan të dorës së parë i cili nuk imitoi askënd! Për Bujar Bukoshin, meritat vlejnë më shume se dobësitë e tij! Ai kishte bërë paqe me veten dhe të kaluarën! Sot, Kosova ka humbur një protagonist të historisë së saj! Lamtumirë Bujar”, përmbyll Pandeli Majko.