Largimi i Marjana Koçekut/ Rama paralajmëron të tjera ‘rrjedhje’ nga PS: Mos u çudisni, do kemi shumë të tjerë

Pak ditë pasi Marjana Koçeku dha dorëheqjen nga Grupi Parlamentar i Partisë Socialiste, duke u deklaruar deputete e pavarur, kryeministri Edi Rama ka shmangur një koment të drejtpërdrejtë për largimin e saj.
Edhe pse nuk e përmendi me emër Marjana Koçekun, kryeministri paralajmëroi për rrjedhje të tjera të mundshme nga radhët e socialistëve, teksa u shpreh se “do na dalin shumë të tjerë anash, mbrapa, përballë”.
Ndër të tjera Rama theksoi se nuk firkësohet dhe nuk intimidohet duke shtuar se nuk çuditet nga raste të tilla.
Me tone të ashpra ndaj kritikëve dhe protestave që po zhvillohen prej 20 ditësh në Tiranë dhe në qytete të tjera të vendit, Rama u shpreh se Partia Socialiste nuk duhet të zgjedhë rrugën më të lehtë dhe as të kërkojë të jetë e pëlqyer nga të gjithë.
“Do kritikohemi do sulmohemi, por kemi detyrim të mos zgjedhim rrugën më të lehtë, mos zgjedhim të jemi popullor kur duhet të jemi të përgjegjshëm. Ka kohë që nuk ndihem i zgjedhur për të qenë i pëlqyer. Më ka ikur ajo dëshirë.
Nuk jemi për të qenë të pëlqyer, por të dobishëm. Shqipëria sot është në duart tona, nuk është një hashtag, nuk është një flamingo që merret zvarrë për t’u dukur bukur, është në një luftë me vetveten dhe BE është Itaka jonë. Le të këndojnë sirenat atë punë kanë, kemi detyrë të çojmë Shqipërinë te ai breg me çdo kusht.
Mos u çudisni që në këtë rrugë do na dalin shumë të tjerë anash, mbrapa, përballë. Nuk është punë agjenturash, ne kemi fakte sa të duash, falë algoritmit vijnë mercenarë digjitalë edhe nga vende që ti nuk e mendon se ishe shënjestër e tyre.
Ne nuk kemi punë me asnjë prej tyre, në kuptimin që të intimidohemi apo kompensohemi. Kjo është rruga më e vështirë, është rruga ime, e jona e PS”, tha Rama.
Largimi i Koçekut nga Grupi Parlamentar i PS-së ka sjellë debate të shumta në media dhe në politikë, duke ngritur pikëpyetje mbi arsyet e këtij vendimi dhe ndikimin që mund të ketë ai në të ardhmen e Partisë Socialiste.
Vëmendje të madhe dhe shqetësim publik ka ngjallur edhe deklarata e deputetes për kërcënime të pretenduara nga anëtarë të grupit Bajri, një çështje që vijon të mbetet në qendër të debatit publik dhe politik.


