Goditen dy raste grabitjesh në Durrës, arrestohen dy persona, policia sekuestron edhe armë zjarri (EMRAT)

Dy operacione në Durrës, arrestohen Marvin Ferra dhe Rezi Kruta për vjedhje me armë dhe me dhunë
Policia e Durrësit ka finalizuar brenda 24 orëve dy operacione të koduara “Rada” dhe “Bashkëpunëtori”, duke arrestuar dy persona të dyshuar për vjedhje me armë dhe me dhunë, si dhe duke sekuestruar dy armë zjarri.
Në kuadër të operacionit “Rada”, shërbimet operacionale të Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Krujë, arrestuan shtetasin Marvin Ferra, 21 vjeç, banues në fshatin Mafsheq të Krujës.
Sipas Policisë, 21-vjeçari dyshohet se më 19 qershor 2026, rreth orës 02:30, i maskuar dhe i armatosur me armë automatike, ka hyrë në oborrin e banesës së një shtetaseje në fshatin Radë me qëllim vjedhjen. Gjatë operacionit për kapjen e tij në zonën e Krujës, ai tentoi të largohej, por u neutralizua nga forcat e policisë. Gjatë kontrollit në banesën e tij u gjetën dhe u sekuestruan dy armë zjarri.
Ndërkohë, në kuadër të operacionit “Bashkëpunëtori”, u identifikua, kap dhe u ndalua shtetasi Rezi Kruta, 51 vjeç, banues në Tiranë.
Sipas hetimeve, Kruta dyshohet se ka bashkëpunuar me shtetasin T.M., i arrestuar një ditë më parë gjatë operacionit “Taksimetri”, në dy raste vjedhjeje me dhunë ndaj personave që transportoheshin me automjetin e tij taksi në fshatin Shënvlash dhe në zonën e Rinasit.
Policia bën me dije se nga analizimi i pamjeve filmike dhe veprimet hetimore është dokumentuar përfshirja e 51-vjeçarit në këto ngjarje, ku ai shërbente si transportues për bashkëpunëtorin e tij, i cili dyshohet se kryente grabitje ndaj taksistëve në Tiranë, Krujë dhe Durrës.
Gjatë kontrollit në banesën dhe garazhin e Rezi Krutës janë sekuestruar prova materiale që, sipas hetuesve, e lidhin atë me aktivitetin kriminal.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Durrësit për veprime të mëtejshme.


