Kryeprokurori i Beogradit: Së shpejti do të vendoset lidhur me aktakuzën kundër Radoiçiçit

Aktualitet

Kryeprokurori i Beogradit: Së shpejti do të vendoset lidhur me

Kryeprokurori i Prokurorisë së Lartë Publike të Beogradit, Nenad Stefanoviç, tha se në fund të këtij viti apo në fillim të vitit 2025 do të merret vendimi lidhur me ngritjen ose jo të një aktakuze ndaj Millan Radoiçiqit për sulmin e armatosur në Banjskë të Zveçanit.

“Në këtë kuptim, pres bashkëpunim adekuat me EULEX-in”, tha Stefanoviç në një intervistë për Kosovo Online.

Radoiçiç, ish-nënkryetar i Listës Serbe, partisë kryesore të serbëve në Kosovë që gëzon mbështetjen e Beogradit, mori përgjegjësinë për sulmin e 24 shtatorit 2023 në Banjskë të Zveçanit, kur mbeti i vrarë një rreshter i Policisë së Kosovës. Gjatë këmbimit të zjarrit u vranë edhe tre sulmues serbë.

Ndaj Radoiçiçit dhe një grupi personash, autoritetet në Kosovë kanë ngritur aktakuzë.

Autoritetet në Serbi po ashtu kanë kryer hetime për këtë sulm, për të cilin Kosova e fajëson Beogradin, por autoritetet atje kanë mohuar përfshirjen në të.

Stefanoiq tha se gjatë hetimit të autoriteteve serbe janë ndërmarrë mbi 40 veprime procedurale.

Ai tha se Radoiçiçi akuzohet nga autoritetet serbe se së bashku me persona të tjerë të panjohur “ka kryer veprat penale: Organizim për kryerjen e veprave penale, prodhim i paligjshëm, mbajtje, bartje dhe trafikim të armëve të zjarrit dhe lëndëve shpërthyese, si dhe vepra të rënda kundër sigurisë publike”.

Kryeprokurori serb tha se në bashkëpunim me organet e tjera shtetërore të Serbisë, “po përcaktohen të gjitha faktet dhe rrethanat që lidhen me ngjarjen kritike në Banjskë më 24 shtator 2023 dhe po kontrollohen pretendimet e të dyshuarit të cilat i ka paraqitur gjatë marrjes në pyetje në Prokurorinë e Lartë në Beograd”.

ME TE LEXUARAT