Korrupsioni te “Rrugorja”, gjykata lë në burg oficerin Edison Tabaku

Aktualitet

Korrupsioni te “Rrugorja”, gjykata lë në burg oficerin

Gjykata e Posaçme ka caktuar masën e sigurisë “arrest në burg” për oficerin e Policisë Gjyqësore Edison Tabakun, të arrestuar për aferën e korrupsionit, ku dyshohet të jenë përfshirë dhe dy zyrtarët e Policisë Rrugore Roven Zeka dhe Sokol Novaku.

Tabaku ka mbajtur qëndrim mohues për akuzën, por nuk ka dhënë deklarime. Një aksident pa viktima i bashkëshortes së një biznesmeni u bë shkak për arrestimin e efektivit Tabaku dhe zyrtarëve në detyrë të Policisë Rrugore të Tiranës. Burimet thanë për A2 CNN se para disa ditësh Edison Tabaku, Oficer i Policisë Gjyqësore shkoi për të këqyrur vendin dhe rrethanat e një aksidenti në kryeqytet.

Gruaja e përfshirë në ngjarje i kishte kërkuar që çështja të mbyllej aty për aty edhe kundrejt ndonjë shume parash, në mënyrë që të mos referohej në prokurori. Të njëjtat burime i thanë A2 CNN se Tabaku e ka adresuar zonjën tek dy eprorët e tij, shefin e komisariatit rrugor, Roven Zekën dhe atë të aksidenteve Sokol Novakun me të cilët ka pasur biseda telefonike. Në to është përfshirë edhe bashkëshorti i saj biznesmen, të cilin SPAK e kishte ndërkohë nën përgjim për një tjetër dosje hetimore.

Si rrjedhojë në këto përgjime SPAK zbuloi se ata kanë komunikuar me njëri-tjetrin për ofrimin e një shume parash në mënyrë që çështja të mbyllej në favor të gruas së tij. Prokuroria e Posaçme ende nuk ka dalë në një njoftim zyrtar për rastin, duke mbetur enigmë edhe emrat edhe shuma e ryshfetit që ata kanë ofruar.

Prej kohësh Struktura e Posaçme Antikorrupsion ka vënë nën përgjim një numër të lartë personash për llogari të hetimeve të ndryshme në duart e prokurorëve. Nuk kanë munguar rastet si ky i fundit që nga bisedat të përgjuarit kanë rënë në pranga për çështje të ndryshme.

ME TE LEXUARAT

NA SHKRUAJ

Portali Lajmifundit sjell Lajme nga Shqipëria, rajoni dhe bota në kohë rekord. Ju lutemi na kontaktoni nëse doni të kontribuoni me informacione të vlefshme për publikim në portalin tonë.

Kliko për më shumë informacion