Kontrabandonin mallra të ndryshme nga Greqia, arrestohen dy persona në Korçë

Dy shtetas shqiptar tentuan të kontrabandonin veshje, produkte ushqimore dhe konfeksione të ndryshme nga Greqia, kapen në flagrancë dhe vihen në pranga nga Policia Kufitare.
Njoftimi i policisë:
Në vijim të kontrolleve sistematike dhe atyre të bazuara në informacionet policore, shërbimet e Policisë Kufitare, në PKK Kapshticë, në hyrje të RSh-së, kaluan për kontroll në vijën e dytë:
1- autobusin me drejtues shtetasin O. H., 48 vjeç, banues në Korçë;
2- automjetin me drejtues shtetasin A. P., 54 vjeç, banues në Elbasan.
Nga kontrolli, në bagazhin e autobusit dhe të automjetit që këta shtetas drejtonin, u gjetën veshje të ndryshme, produkte ushqimore dhe konfeksione, të dyshuara si të kontrabanduara nga Greqia.
Në vijim të veprimeve procedurale, u arrestuan në flagrancë të dy shtetasit, për veprën penale “Kontrabanda me mallra të tjera”.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Korçës, për veprime të mëtejshme.


