Kodi i ri Penal/ Të dënuarit përjetë mund të kërkojnë lirim me kusht, përjashtohen nga kjo mundësi vetëm...

Drafti i ri i Kodit Penal ka ndezur debat në radhët e juristëve dhe opinionit publik, pasi sjell ndryshime rrënjësore, sidomos për ata të dënuar me burgim të përjetshëm. Për herë të parë, hapet mundësia që të dënuarit përjetë të kërkojnë lirim me kusht – nëse kanë shlyer të paktën 35 vite burgim.
Aktualisht, Kodi Penal e kufizon rreptësisht këtë të drejtë, duke e lejuar vetëm në raste jashtëzakonisht të rralla, kur i dënuari ka mbajtur sjellje shembullore dhe ka treguar rehabilitim. Ndërsa në draftin e ri, kjo mundësi zgjerohet për të gjithë të dënuarit përjetë, përveç atyre që kanë kryer krime të rënda si vrasje për gjakmarrje, vrasje të punonjësve të policisë apo funksionarëve publikë, si dhe dhunë seksuale ndaj të miturve.
Kjo lëvizje vjen pas rekomandimeve nga Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut, që e konsideron dënimin e përjetshëm në përputhje me Konventën vetëm nëse i dënuari ka mundësi reale për rishikim të dënimit dhe një shans për lirim.
Ndryshimet e reja janë pjesë e një procesi më të gjerë reformimi të sistemit penal në përputhje me kërkesat e Bashkimit Evropian. Megjithatë, për kritikët, kjo mund të hapë dyert e burgjeve për kriminelë që nuk duhet të kenë më vend në shoqëri.
Çështja mbetet e hapur dhe e mbushur me pikëpyetje: po nëse përjetësia kthehet në një kapitull të ri?


