"Histori që flet për dështimin e sistemit", Eni Çobani zbulon si familja Shkambi janë pronarë të objektit "mollë sherri"

Emisioni “Shihemi në Gjyq” këtë të diel nisi me një moment ngushëllimi për familjen e gjyqtarit Astrit Kalaja, i cili u ekzekutua me armë zjarri në sallën e Gjykatës së Apelit në Tiranë, në një prej ngjarjeve më tronditëse të viteve të fundit.
Eni Çobani rikujtoi se ky konflikt ishte trajtuar më herët në “E Diela Shqiptare”, në tetor të vitit 2024, kur Gjon Shkambi ishte përballur në studio me dy banorë që ai akuzonte se i kishin zaptuar pronën.
Çobani bëri një përmbledhje të gjatë të historisë 33-vjeçare të konfliktit pronësor që, sipas saj, nisi që në vitin 1992 dhe zvarritej nëpër institucione prej dekadash.
Ajo tregoi se familja Shkambi kishte fituar vendime gjyqësore për pronësinë, por ato nuk ishin zbatuar kurrë. Më pas, gjyqtari Astrit Kalaja kishte gjykuar në vitin 2021 një prej çështjeve kryesore të kësaj prone, duke mos njohur përfundimisht familjen Shkambi si pronare.
“Është e pabesueshme, por dokumentet e pronës së familjes Shkambi janë zhdukur! Nuk ekziston më emri i Binak Shkamb Pjetraj në Arkivin Qendror të Shtetit. Kjo është tragjike për një shtet që pretendon drejtësi,” – tha Çobani me tone të forta.
Ajo shtoi se vendimet e kaluara ishin marrë në favor të familjes, por asnjëherë nuk ishin ekzekutuar. Sipas saj, ky ishte një nga faktorët që ndezi zemërimin dhe e çoi 30-vjeçarin Elvis Shkambi drejt aktit ekstrem të 6 tetorit 2025.
Në fund, Çobani apeloi për transparencë totale dhe përgjegjësi nga institucionet, duke theksuar:
“Kjo nuk është vetëm një histori pronash. Është një histori që flet për dështimin e sistemit. Shteti duhet të japë përgjigje pse dokumentet janë zhdukur dhe pse njerëzit çohen në dëshpërim.”
Publiku dhe stafi i emisionit mbajtën një moment heshtjeje në nder të gjyqtarit Astrit Kalaja.
View this post on Instagram


