Kërcënimet e pretenduara nga biznesmeni në Vlorë, reagon policia: Në automjetin e aksidentuar ishin tre persona

Aksion policor në Vlorë. Pronari i një resorti ka alarmuar uniformat e plota rreth orës 11:30, pasi disa persona të armatosur po e kërcënonin në ambientet e biznesit të tij.
Menjëherë pas telefonatës, policia është vënë në lëvizje duke ngritur pika kontrolli në pikat kyçe të qytetit. Gjatë operacionit, në afërsi të Pusit të Mezinit, efektivët kanë pikasur një automjet që lëvizte me shpejtësi marramendëse dhe janë vënë menjëherë në ndjekje të tij.
Gjatë arratisjes, drejtuesi i mjetit ka humbur kontrollin duke u aksidentuar rëndë. Brenda makinës ndodheshin tre persona, dy prej të cilëve kanë mbetur të dëmtuar nga përplasja. Gjatë kontrollit të ushtruar në automjet, policia ka gjetur dhe sekuestruar një armë zjarri pistoletë.
Nën drejtimin e Prokurorisë, është ngritur një grup i posaçëm hetimor për zbardhjen e plotë të dinamikës dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë në këtë ngjarje.
Vlorë / Informacion paraprak
Rreth orës 11:30, pronari i një resorti në Vlorë ka njoftuar Policinë se persona të armatosur po konfliktoheshin me të.
Menjëherë pas njoftimit, shërbimet e Policisë kanë shkuar në drejtim të adresës së dhënë, si dhe kanë ngritur pika kontrolli.
Shërbimet e Policisë, në afërsi të Pusit të Mezinit, kanë konstatuar një automjet që lëvizte me shpejtësi dhe janë vënë në ndjekje të tij.
Drejtuesi i këtij automjeti ka humbur kontrollin dhe është aksidentuar. Në automjet janë gjetur tre shtetas, dy prej të cilëve janë dëmtuar si pasojë e aksidentit, ndërsa tjetri nuk ka probleme shëndetësore.
Gjatë kontrollit në automjet, shërbimet e Policisë kanë gjetur një armë zjarri pistoletë.
Është ngritur një grup i posaçëm hetimor, i cili, nën drejtimin e Prokurorisë, po punon për zbardhjen e dinamikës së ngjarjes dhe identifikimin e të gjithë shtetasve të përfshirë.
Shërbimet e Policisë së DVP Vlorë, në bashkëpunim me shërbimet e disa DVP-ve të tjera, po kryejnë kontrolle dhe veprime të tjera, me qëllim identifikimin dhe kapjen e shtetasve të tjerë të përfshirë në këtë ngjarje.
Meqenëse veprimet janë dinamike, në përfundim të veprimeve të para hetimore do të ketë një njoftim të plotë për ngjarjen.


