Atentati ndaj Bardhit i planifikuar me detaje, 30 plumba drejt 65-vjeçarit, disa të shoqëruar

Një 65-vjeçar u ekzekutua mëngjesin e sotëm rreth ores 8:30 minuta në një atentat të mirëorganizuar ndaj tij në Nderfushas të Mirditës.
Viktor Bardhi, punonjës i Ujësjellësit të Mirditës, ishte nisur me makinën e tij për të shkuar në një zonë ku do të hapte ujin për disa fshatra.
Rreth orës 08:30, pak metra larg vendit ku kishte qenë më herët, ndaj tij është qëlluar me rreth 30 plumba. Si pasojë ai ka humbur jetën në vendngjarje.
Atentati ndodhi shumë pranë Rrugës së Kombit. Autorët dyshohet se e kanë ruajtur dhe kanë ditur lëvizjet e viktimës, duke e pritur në një moment kur ai ishte i vetëm.
Rreth 20 minuta pas vrasjes, policia është njoftuar për një automjet që po digjej në fshatin Munaz. Dyshohet se makina mund të jetë përdorur nga autorët për t’u larguar pas atentatit dhe më pas është djegur për të humbur gjurmët.
Një banor i zonës tregon se e kishte parë dhe përshëndetur viktimën pak para ngjarjes. Ai thotë se Bardhi nuk ruhej dhe po shkonte për të hapur ujin.
Në vendin e ngjarjes policia ka gjetur edhe mbetje që dyshohet se i përkasin një silenciatori të prodhuar në mënyrë artizanale. Kjo i ka shtuar dyshimet se autorët kanë planifikuar me kujdes atentatin.
Pista kryesore që po hetohet është ajo e hakmarrjes. Disa persona janë shoqëruar për t’u marrë në pyetje, por deri tani nuk ka asnjë person të dyshuar për vrasjen. Hetimet vijojnë për identifikimin dhe kapjen e autorëve.


