“Na jep 5 milionë euro ose ik nga Shqipëria!” / Ngjarja në Orikum, kush është Vasil Bedinaj, pronari i “Regina Hotel”

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mesditën e sotme në një prej hoteleve në zonën e Orikumit, në Vlorë, ku një grup prej më shumë se 10 personash, shumica prej tyre të armatosur, dyshohet se kanë shkuar për t’i vendosur gjobë pronarit të hotelit, Vasil Bedinaj.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 12:30 .Sipas informacioneve paraprake, personat fillimisht kanë kërcënuar me fjalë Bedinajn, ndërsa më pas kanë përdorur edhe armët, duke i kërkuar një shumë prej 5 milionë eurosh.
Mes palëve ka pasur edhe një konflikt fizik, ndërsa autorët janë larguar nga ambientet e hotelit menjëherë pas ngjarjes.
Në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet e Policisë, të cilat kanë nisur ndjekjen e autorëve. Gjatë ndjekjes, dy persona, që udhëtonin me një automjet, janë aksidentuar në urën e Peshkëpisë, në hyrje të Vlorës.
Të plagosurit janë transportuar me ambulancë drejt spitalit. Sipas informacioneve paraprake, njëri prej tyre ka marrë dëmtime të shumta në shpinë dhe në shtyllën kurrizore, ndërsa personi tjetër ka pësuar dëmtime nga aksidenti.
Ndërkohë, forca të shumta policie janë shpërndarë në disa zona të qytetit të Vlorës, në përpjekje për të bërë të mundur kapjen e personave të përfshirë në këtë ngjarje.
Policia po vijon kontrollet dhe hetimet për të zbardhur rrethanat e plota të ngjarjes, ndërsa informacionet mbeten paraprake.
Kush është Vasil Bedinaj
Vasil Bedinaj është pronari i Hotel Regina. Ai është përfshirë edhe më herët në disa incidente që kanë tërhequr vëmendjen e opinionit publik.
Në korrik të vitit 2025, emri i tij u përmend në një konflikt ku u dhunua kamarieri 18-vjeçar Ron Balaj.
Sipas raportimeve të kohës, Balaj ishte dhunuar nga ish-oficeri i Policisë Kufitare të Dibrës, Ardian Isufi, së bashku me Leart Bimon. Në konflikt ndërhyri edhe Bedinaj, i cili goditi ish-efektivin.
Ngjarja shkaktoi reagime të shumta publike dhe u komentua edhe nga kryeministri Edi Rama.
Një tjetër episod lidhet me verën e vitit 2024, kur Bedinaj u filmua duke goditur me grusht një qytetar pas një debati për hapësirën në plazh.
Pas publikimit të pamjeve, biznesmeni u shfaq në një video së bashku me personin që kishte goditur, duke deklaruar se ngjarja kishte ndodhur rreth një muaj e gjysmë më parë dhe se të dy ishin biznesmenë në sektorin e turizmit në Vlorë.


