“Kam qenë rreth 30km/h”, shoferi që përplasi për vdekje dy të mitur në Durrës, pranon edhe konsumimin e alkoolit

Nikollë Rradaçi, i cili aksidentoi për vdekje dy të mitur dhe plagosi rëndë një tjetër në Durrës, është lënë në burg nga gjykata.
Para trupit gjykues, ai ka rrëfyer se ditën e ngjarjes kishte dalë nga shtëpia për të marrë një vegël pune te një mik i tij.
Ai pranoi gjithashtu se kishte konsumuar alkool përpara se të drejtonte automjetin, duke deklaruar se në mëngjes kishte pirë një gotë birrë.
Sipas dëshmisë së tij, gjatë lëvizjes me automjet në korsinë e djathtë, një makinë tjetër i ka prerë rrugën, çka e detyroi të devijonte dhe për pasojë përfundoi në trotuar, aty ku ndodheshin tre të mitur.
Rradaçi ka pretenduar se nuk lëvizte me shpejtësi të lartë, por rreth 30 kilometra në orë në momentin e aksidentit.
Testi i alkoolit i kryer nga policia rezultoi 0.73 mg/l në testin e parë dhe 0.70 mg/l në testin e dytë.
Pas aksidentit, ai tha se kishte dalë nga automjeti dhe u kishte kërkuar punonjësve të një biznesi pranë vendngjarjes të njoftonin policinë.
Nikollë Rradaçi: Rreth orës 14.00 ka dalë nga shtëpia bashke me mjetin me targa AB 909 PC dhe do shkoja të merrja një vegël pune tek një shoku im. Unë po drejtoja automjetin në korsinë e djathtë, papritur nga një rrugicë lagjeje doli një automjet, unë devijova për të shmangur këtë automjet dhe kam përfunduar sipër trotuarit të anës së majtë të rrugës. Pasi hipa mbi trotuar, jam përfshirë në aksident me disa fëmijë që ndodheshin mbi trotuar. Automjeti që unë po drejtoja nuk ka arritur të ndalojë dhe kam shkuar disa metra më përpara. Unë dola nga makina dhe kam shkuar tek një dyqan aty pranë ku punonjësve të dyqanit ju kam thënë të njoftojnë policinë pasi kam bërë aksident. Unë kam qëndruar tek dyqani deri sa erdhi policia dhe më mori për në komisariat.
Pyetje: Ju pretendoni që një automjet ju ka ndërprerë rrugën, a ju kujtohet ndonjë detaj në lidhje më këtë automjet?
Përgjigje: Për momentin nuk më kujtohet asnjë detaj.
Pyetje: A i njeh fëmijët me të cilët jeni përfshirë në aksident?
Përgjigje: Jo nuk i njoh.
Pyetje: Me çfarë shpejtësie keni qenë në momentin e aksidentit?
Përgjigje: Unë kam qenë me rreth 30 km/h.
Pyetje: Në zbatim të procedurës standarde ju është bërë testi i alkoolit, i cili ka rezultuar në masën 0.73 mg/l testi i parë dhe 0.70 mg/l testi i dytë. A keni konsumuar alkool përpara se të drejtonit automjetin?
Përgjigje: Përpara se të drejtoja automjetin unë kam pirë një birrë në mëngjes.
Pyetje: A keni gjë tjetër për të shtuar?
Përgjigje: Gjë tjetër nuk kam për të shtuar, sa më sipër janë thëniet e mia të cilat pasi i gjej të shkruajtura drejt, i firmos pa vërejtje.
Ngjarja tragjike ka tronditur qytetin e Durrës, ndërsa hetimet për rrethanat e plota të aksidentit vijojnë.


