Shpërthim në një fabrikë fishekzjarrësh në Kinë, 26 viktima dhe 61 të plagosur

Bota

Shpërthim në një fabrikë fishekzjarrësh në

Një shpërthim i fuqishëm në një fabrikë fishekzjarrësh në provincën Hunan të Kinës ka shkaktuar vdekjen e 26 personave dhe plagosjen e 61 të tjerëve, raportojnë mediat lokale. Të plagosurit janë të moshave nga 20 deri në 60 vjeç dhe po marrin trajtim mjekësor në spitalet e zonës.

Ngjarja ndodhi në fabrikën Huasheng Fireworks, në qytetin Liuyang, i njohur si një nga qendrat më të mëdha të prodhimit të fishekzjarrëve në botë. Pas shpërthimit, autoritetet urdhëruan evakuimin e banorëve që jetonin brenda një rrezeje prej 3 kilometrash nga fabrika për arsye sigurie.

Rreth 500 punonjës të ekipeve të emergjencës u angazhuan në operacionet e kërkim-shpëtimit, ndërsa në terren u përdorën edhe robotë për të lokalizuar personat që mund të kishin mbetur të bllokuar në ndërtesë.

Policia ka nisur hetimet për të zbuluar shkaqet e shpërthimit dhe ka marrë masa ndaj personit përgjegjës të kompanisë. Sipas mediave shtetërore kineze, presidenti Xi Jinping ka kërkuar një hetim të plotë për ngjarjen dhe ndëshkimin e përgjegjësve.

Shpërthimet në fabrikat dhe dyqanet e fishekzjarrëve në Kinë janë raportuar shpesh gjatë viteve të fundit dhe në shumë raste kanë rezultuar fatale. Vetëm në muajin shkurt, 12 persona humbën jetën në një shpërthim të ngjashëm në provincën Hubei.

 

ME TE LEXUARAT