Rama godet arsimin: Gjysma e pedagogëve part-time, Shqipëria me më shumë universitete se Anglia

Kryeministri Edi Rama theksoi se arsimi i lartë në Shqipëri ka nevojë për një qasje dhe strukturë të re, duke u ndalur te problemi i madh që 50% e stafit akademik punojnë me kohë të pjesshme.
Ai nënvizoi gjithashtu domosdoshmërinë e përfshirjes së diasporës në universitetet shqiptare, duke sugjeruar që universitetet duhet të kenë objektiva konkrete për këtë.
Një tjetër problem i theksuar nga Rama është numri i tepërt i universiteteve në vend. Ai bëri krahasime me vende të tjera, duke thënë se Shqipëria ka më shumë universitete për metër katror sesa Sllovenia apo Anglia.
Kryeministri e lidh këtë situatë me pritshmëritë politike, ku premtimet për universitete janë bërë të zakonshme gjatë fushatave zgjedhore, pavarësisht se vendi ka burime të kufizuara njerëzore.
Ai përmendi edhe krahasimin me Kinën për të theksuar se Shqipëria nuk ka kapacitet për të mbajtur kaq shumë institucione arsimore në të njëjtën kohë.


