“Ishte drogaxhi dhe pijanec, u takuam në ditëlindjen e Festim Qolit”/ Dumani rrëfen bashkëpunimin me Hoxhajn!

I penduari i drejtësisë, Nuredin Dumani, ka treguar për raportin që kishte me Henrik Hoxhajn, që po ashtu është bërë i penduar i drejtësisë, i përfshirë në disa ngjarje kriminale.
Në GJKKO Dumani ka rrëfyer se Hoxhajn e ka njohur në ditëlindjen e Festim Qolit, i dyshuar për vrasjen e ortakut të tij, Elvis Dedaj në Durrës dhe për porositjen e vrasjes së nënës së tij, Fatmira Dedaj.
Avokati: Si e ke njohur Henrik Hoxhaj?
Dumani: Unë e kam njohur në ditëlindjen e Festim Qolit në Fushë Studen me daulle dhe muzikë, kështu i bënte ditëlindjet ai. Hëngrëm, pimë, kërcyem, ndërsa Henriku ishte në gjumë pjesën dërrmuese të kohës, sepse piu bar. Aty jam takuar për herë të parë fizikisht. Unë e njihja si drogaxhi dhe pijanec.
Avokati: E keni parë më përpara këtij momenti?
Dumani: E kam parë një herë te lokali i Festim Qolit, ky ishte në kërkim për vrasje ndërkohë. Unë kam vajtur aty sepse me thanë që ka një sherr, por nuk e dija që ishte ai Henriku. Unë kam qenë në burg herën e parë dhe dola nga burgu, ishte në një nga komisaret e komisariatit 6, ka qenë Dritan Lame që më ka dhunuar. I kisha thënë ‘mbaje mend çdo të të bëj kur të dal’. Ai u vra para se me dal unë nga burgu. Për Henrikun kam dëgjuar nga Festim Qoli.
Avokati: Cili ka qenë shkaku që polici Dritan Lame ju ka rrahur?
SPAK kundërshton pyetjen, gjykata pranon qëndrimin e SPAK.
Avokati: Kur qëndronit me Henrikun, i keni thënë për ngjarjet ku keni marrë pjesë?
Dumani: Po, i kemi treguar njeri-tjetrit
Avokati: Konkretisht për cilat ngjarje?
Dumani: Për dy vjet që kam nejt unë me Henrikun, i bie të rrimë këtu gjatë, një nga ngjarjet që i kam tregu ka qenë vrasja e Fatmira Dedës. Tjetër s’më kujtohet për momentin.
Avokati: Nuk m’u përgjigjet për pyetjen, i keni treguar Henrikut edhe ngjarje të tjera?
Dumani: Kjo më kujtohet, por kur rrija me Henrikun nuk kishim dhe shumë kohë për të folur për ngjarje të shkuara, se kishim shumë ngjarje nëpër duar.
Avokati: A keni marrë porosi nga ndonjë person, që ke dashur ta kryesh, por nuk e ke realizuar dot?
Dumani: Porositë i merrja kur bëhej pagesa ose gjysma e pagesës.
Avokati: Ju kujtohet t’i keni kërkuar Henrikut që doni të kryeni një ngjarje dhe nuk e keni realizuar?
Dumani: Unë e quaj tentativë kur kam marrë pagesën, por muhabete kot palidhje kemi bërë ne.
Avokati: I keni deklaruar në gjykatë të gjitha ngjarjet?
Dumani: Këto që kam deklaruar këtu i keni dëgjuar, i kam deklaruar në vend tjetër.
Avokati: A kanë qenë edhe persona të tjerë?
Dumani: Ka qenë edhe Festim Qoli, kur ne kemi bërë biseda, kemi qenë te shtëpia ime, më vonë edhe në një drekë në Peqin, unë, Skerdi Tase dhe Henrik Hoxhaj.


