Inat shqiptar! Sa më shumë rriten çmimet e karburanteve, aq më shumë blejnë

Aktualitet

Inat shqiptar! Sa më shumë rriten çmimet e karburanteve, aq

TIRANË – Çmimet e larta të karburanteve nuk duket se kanë frenuar konsumin në Shqipëri. Gjatë muajit gusht, mbi 80 mijë tonë karburante u zhdoganuan në vend, duke shënuar nivelin më të lartë mujor të regjistruar deri më tani.

Të dhënat e publikuara nga Drejtoria e Përgjithshme e Doganave tregojnë se rritja e sasive të karburanteve ka ndikuar ndjeshëm edhe në arkëtimet doganore. Në gusht, të ardhurat doganore arritën në 22.8 miliardë lekë, rreth 1.7 miliardë lekë më shumë krahasuar me të njëjtin muaj të vitit 2025.

Karburantet rezultojnë ndër faktorët kryesorë të kësaj rritjeje. Vetëm nga akciza, të ardhurat e lidhura me karburantet u shtuan me 264 milionë lekë, ndërsa në total arkëtimet neto nga akciza u rritën me 502 milionë lekë. Kontribut të rëndësishëm dhanë edhe cigaret, me rreth 187 milionë lekë.

Ndikimi i karburanteve ishte edhe më i ndjeshëm në të ardhurat nga TVSH-ja e mbledhur në import. Sipas Doganave, ky zë u rrit me 1.1 miliardë lekë në raport me gushtin e vitit të kaluar, ndërsa 741 milionë lekë nga kjo rritje erdhën vetëm nga karburantet e importuara.

Shifrat vijnë në një kohë kur Shqipëria vijon të renditet ndër vendet me çmimet më të larta të karburanteve në Europë. Megjithatë, të dhënat e gushtit tregojnë një tjetër tendencë: rritja e çmimeve nuk është shoqëruar me ulje të konsumit, por me një nivel rekord të sasive të zhdoganuara.

Në rritjen e të ardhurave nga TVSH-ja kanë ndikuar edhe kategori të tjera importi. Produktet e tjera të importuara sollën 161 milionë lekë më shumë, ndërsa autoveturat e përdorura kontribuuan me 146 milionë lekë shtesë.

Ndërkohë, të ardhurat nga taksat doganore u rritën me 85 milionë lekë, të mbështetura kryesisht nga importet e veshjeve, mishit dhe konstruksioneve metalike.

Edhe renta minerare shënoi rritje, me 8 milionë lekë, e ndikuar kryesisht nga sasitë më të larta të mineraleve të eksportuara.

ME TE LEXUARAT