Atentati ndaj biznesmenit Mena, Apeli i GJKKO lë në fuqi 25 vite burg ndaj Gjergj Cukalit, 70 vite pesë të tjerëve

Gjykata e Posaçme e Apelit lë në fuqi dënimin me 25 vite burgim ndaj Gjergj Cukalit, i cilësuar edhe si "I forti i Myslym Shyrit". Shkalla e parë e kishte dënuar për ngjarjen e ndodhur në Kamëz, ku Cukali kishte porositur hedhjen në erë me tritol të biznesmenit Gjon Mena në vitin 2021, i cili arriti të shpëtonte, por edhe ndaj Artion Bylykut dhe kanosja e një avokati.
Apeli dënoi gjithashtu edhe Ermond Jamakun, i penduari i SPAK-ut për këtë ngjarje, duke ia ulur një vit izolim, nga 8 në 7 vite burg. I vëllai i tij, Enver Jamaku, u dënua me 8 vite burgim. po si i penduar i drejtësisë.
Gjithashtu ndryshoi vendimi për personin e tretë të pandehur të dosjes, Blendi Dedën, i cili do vuajë 18 vite burgim, nga 20 që ishin dhënë prej shkallës së parë.I pandehuri Paris Prenga është dënuar me 18 vite dhe Flor Abazi me 19 vite burgim. Avokatët mbrojtës kishin apeluar çështjen pas dënimeve të GJKKO-së pas verdiktit të vitit të kaluar. Vendimi u dha sot (9 korrik) nga trupa gjykuese e përbërë nga gjyqtarët Tereza Merkaj si kryesuese dhe Engert Pëllumbi dhe Igerta Hysi si anëtarë.
Gjykata e Posaçme dënoi më 31 korrik 2024 Gjergj Cukalin, Enver Jamaku, Ermond Jamaku, Blendi Deda, Paris Prenga dhe Flor Abazi duke i shpallur fajtorë për një sërë akuzash të rënda, nga vrasje me paramendim e mbetur në tentativë, shpërthim me eksploziv dhe grup të strukturuar krimimal.
Mes ngjarjeve për të cilën u shpallën fajtorë të pandehurit janë dy atentate të bujshme me tritol për vrasjen e dy biznesmenëve Gjon Mena dhe Artion Bylyku, të mbetura në tentativë por dhe baza e arsenalit të armëve në Tiranë, si dhe kanosja avokatit Paulin Paplekaj.


