Atentati mafioz në Vlorë, mbeten mister autorët. Kevin Hajrulla në gjendje të rëndë shëndetësore

Detaje të reja janë zbardhur nga atentati mafioz që tronditi Vlorën mbrëmjen e 18 dhjetorit. Shënjestër e atentatit ishte Kevin Hajrulla, kushëriri i të fortit të Vlorës, Inez Hajrulla.
Gjithashtu, mbeti i plagosur edhe një kalimtar i rastit, Armand Spahiu, 35 vjeç, tregtar shumice i frutave dhe perimeve.
Sipas burimeve nga policia, hetimet janë duke vijuar, ndërsa janë sekuestruar kamerat e sigurisë në qytet në itinerarin që mendohet se kanë lëvizur autorët deri në djegien e automjetit.
Bëhet me dije se kamerat e sigurisë në zonë nuk kanë filmuar momentin e ngjarjes, çka vështirëson punën e grupit hetimor.
Ndaj 30-vjeçarit Kevin Hajrulla u qëllua me mbi 50 plumba, duke i shkaktuar plagë të shumta në trup, dhe ai vijon të mbetet në gjendje të rëndë.
35-vjeçari Armand Spahiu tashmë ka dalë nga spitali dhe fatmirësisht ndodhet në gjendje të mirë shëndetësore.
Kush është Inez Hajrulla dhe si i shpëtoi disa atentateve?
Ngjarja e parë ndodhi në vitin 2017, Hajrulla ishte pre e një atentati me tritol ku mori dëmtime të rënda në të dyja këmbët, ndërsa tjetri ndodhi me 10 maj të vitit 2019 në lagjen “Uji i Ftohtë” në Vlorë, ku Hajrulla u qëllua me armë zjarri nga një automjet në lëvizje, teksa ishte ulur në një lokal.
Hajrulla i shpëtoi atentatit, por u plagos rastësisht Dajko Cenodemaj që po pinte kafe në Lungomare me disa miq. Sipas policisë dhe prokurorisë së Vlorës, në këtë atentat të dështuar morën pjesë nëntë persona, Fatmir Hyseni, Daut Elmazi, Igli Memaj, Gentian Dauti, Serxho Ademi, Albano Goxhaj, Dejvison Serjani, Ardjan Ahmeti dhe Xheladin Merko.
Për atentatin e dytë, Hajrulla tregoi në Gjykatë se sapo kishte parë që një person zbriti nga një automjet që në pamje të parë ju duk si “Land Rover” kishte nxjerrë një armë lodër nga çanta e ka nisur të qëllojë drejt tij. Për këtë arsye, personi në fjalë është trembur e është kthyer mbrapsht.
“…unë sapo pashë këtë person që po vinte drejt lokalit, kam nxjerë nga çanta marsup një pistoletë imituese lodër, dhe kam filluar të qëlloj. Nuk e mbaj mend sa herë kam qëlluar, por di që një gjë të tillë, e kam bërë disa herë me rradhë. Për shkak të të shtënave që bëra, personi që zbriti nga makina dhe kishte armë automatike në dorë, është kthyer sërisht prapa dhe ka hipur në makinë, duke u larguar drejt qytetit…”-ka deklaruar Inez Hajrulla.
Ai shtoi në gjykatë, se armën tip pistoletë lodër, kishte ardhur dhe ja mori nga dora, shoku i tij, Ervis Matodashaj, i cili më pas është larguar me vrap. “…nga vendgjarja jam larguar dhe unë. Por kur mësova se policia më kërkonte dhe kishte nxjerë në kërkim, kam vendosur të dorëzohem, duke shpjeguar situatën që ka ndodhur…”-është shprehur Hajrulla.
Në muajin korrik 2021, gjykata për këtë ngjarje dënoi Xheladin Merkaj me 4 vjet vjet burgim për akuzën e “Përkrahjes së autorit të krimit” dhe “Moskallëzimit të krimit”. Për të dyja këto akuza, me tre vite burgim është dënuar i pandehuri tjetër, Ardjan Ahmeti. Me dy vite burgim është dënuar Dejvison Serjani, për akuzën e “Moskallëzimit të krimit”. Ndërsa një vajzë me emrin Nensi Shaqiri, e marrë e pandehur për këtë ngjarje për akuzën e “Moskallëzimit të krimit”, është dënuar me 1 vite e 6 muaj burgim.


