Atentati i Shkodrës/ Salianji letër nga qelia: Qeveria i shkel syrin kriminelëve për kalkulime elektorale!
Deputeti demokrat Ervin Salianji ka reaguar nga qelia e burgut për ngjarjen e ndodhur në Shkodër, atentati me 3 të vrarë dhe një të plagosur ditën e mërkurë.
Reagimi është bërë me anë të një letre, ku ai vë në dukje edhe “qëndrimin e qeverisë në raport me krimin”.
“Degradimi i rendit dhe sigurisë publike, frika që kanë qytetarët për jetën, pronën, shëndetin, sigurinë nuk mund të zgjidhet nga ata që kanë krijuar problemin! Ne do t’i çmontojmë bandat me forcën e ligjit e do të mbajmë përgjegjës çdo kriminel e çdo pupac që i shërben atyre! Drejtësia vonon por nuk harron!”, shkruan mes të tjerash Salianji.
Deputeti demokrat po vuan 1 vit burgim të formës së prerë të dhënë nga Gjykata e Tiranës dhe Apeli, për dosjen "Babale", me akuzën e "kallëzimit të rremë", për inskenimin e audiopërgjimit për të implikuar Agron Xhafën në trafik droge, vëllanë e ish-ministrit Fatmir Xhafa. Dënimin po e vuan në Burgun e Fierit prej datës 27 Shtator të këtij viti.
Merr lajme ekskluzive në Whatsapp
Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Whatsapp duke klikuar këtu.
Letra e Ervin Salianjit nga burgu:
“Humbja e jetës së qytetarëve të pafajshëm, guximi për të vrarë në mes të qytetit dhe humbja e autoritetit të shtetit janë tragjedi që parakalon në sytë e të gjithëve! Kronikë e një ngjarje të paralajmëruar ishte tragjedia e Shkodrës ku mbetën të vrarë qytetarë të pafajshëm! Policia nuk reagon ndaj kërcënimit me vdekje ndaj një të riu, e pafuqishme ta parandalojë krimin, e pafuqishme të kapë autorët, e pafuqishme të reagojë më shumë se agjensitë e lajmeve. Është tmerr më vete se si qeveria i shkel syrin krimeve në varësi të kalkulimeve elektorale, asnjë reagim qeveritar për vrasjet, ministri që belbëzon dhe rri para kamerave sikur i kanë drejtuar armën nuk guxon dot as të dënojë vrasjet dhe as të marrë masa, sepse ministri është i lejuar të fusë hundët tek parfumi i Elda Hotit për ta propoganduar si helm i shkatërrimit në masë, por askush i thyejnë hundët nëse i fut tek punët e policisë, ata i emëron krimi e janë në shërbim të partisë shtet! Prandaj i turren protestuesve dhe zbythen nga kriminelet, prandaj nderojnë banditët dhe dhunojnë hallexhinjtë!
Degradimi i rendit dhe sigurisë publike, frika që kanë qytetarët për jetën, pronën, shëndetin, sigurinë nuk mund të zgjidhet nga ata që kanë krijuar problemin! Ne do t’i çmontojmë bandat me forcën e ligjit e do të mbajmë përgjegjës çdo kriminel e cdo pupac që i shërben atyre! Drejtësia vonon por nuk harron!”.