I dënuar por ende i lirë në Londër/ Si po arrin anëtari i Bandës së Lushnjës t'i shpëtojë dëbimit drejt Shqipërisë

Maksim Çela, i konsideruar si një prej besnikëve të Aldo Bares, vazhdon të ndodhet në Mbretërinë e Bashkuar edhe 15 muaj pasi humbi atë që u cilësua si apeli i tij i fundit kundër deportimit.
Kështu shkruan tabloidi britanik The Sun, sipas të cilit 60-vjeçari ka nisur një tjetër betejë ligjore që po pengon kthimin e tij në Shqipëri.
Sipas gazetës, autoritetet britanike kishin lënë të kuptohej se largimi i tij ishte i afërt pas rrëzimit të pretendimeve në gjykatë, por deri më sot deportimi nuk është realizuar. Home Office nuk ka dhënë shpjegime për vonesën, duke u përgjigjur vetëm se "nuk është i gatshëm të japë një koment të vazhdueshëm" mbi çështjen.
The Sun e përshkruan si kriminel terrorist dhe shkruan se procedurat e deritanishme gjyqësore besohet se u kanë kushtuar taksapaguesve britanikë dhjetëra mijëra paund. Burime të cituara nga tabloidi thonë se Çela mund të jetojë në zonën e Birminghamit.
Në një deklaratë për gazetën, Home Office u shpreh se "do të bëjë gjithçka që është në fuqinë e saj për ta deportuar këtë kriminel të rrezikshëm", duke kujtuar se që nga zgjedhjet e fundit janë larguar nga Mbretëria e Bashkuar afro 10 mijë kriminelë të huaj.
Kush është Maksim Çela
Çela është një emër i njohur për drejtësinë shqiptare dhe konsiderohet si një prej njerëzve të afërt të Aldo Bares, ish-kreut të bandës kriminale të Lushnjës.
Ai u dënua nga Gjykata e Krimeve të Rënda për pjesëmarrje në organizatë kriminale, vrasjen e efektivit të policisë Klenti Bano, si edhe për armëmbajtje pa leje. Më herët ishte dënuar edhe për planifikimin e shpërthimit të një bombe në stadiumin "Roza Haxhiu" në Lushnjë.
Sipas dosjes së bërë publike në proceset gjyqësore në Britani, Çela kreu mbi 23 vite burg dhe u lirua në fund të vitit 2022. Pas daljes nga burgu, ai u largua nga Shqipëria, udhëtoi përmes Spanjës dhe Italisë dhe mbërriti në Mbretërinë e Bashkuar në janar 2023, duke përdorur një pasaportë false.
Beteja për azilin
Pasi mbërriti në Britani, Çela kërkoi azil, duke pretenduar se nëse do të kthehej në Shqipëri do të vritej për hakmarrje nga grupet rivale kriminale.
Në procesin gjyqësor të zhvilluar vitin e kaluar, ai pretendoi se kishte pasur disa tentativa për ta vrarë edhe gjatë kohës që vuante dënimin në burg dhe se jeta e tij do të ishte në rrezik në rast deportimi.
Në atë kohë, avokatët e Home Office e kundërshtuan kërkesën e tij, duke e cilësuar Çelën një "terrorist të dhunshëm" që duhet të dëbohej nga Mbretëria e Bashkuar. Sipas tyre, ai kishte ndryshuar disa herë versionin e ngjarjeve për të shmangur kthimin në Shqipëri.
Fillimisht, Çela pretendoi se ndiqej nga "tre grupe të tmerrshme bandash" dhe se do të "ekzekutohej për hakmarrje". Më pas, sipas autoriteteve britanike, ai ndryshoi argumentimin, duke pretenduar se deportimi do ta ekspozonte ndaj trajtimit çnjerëzor ose torturës.
Home Office argumentoi se autoritetet shqiptare ishin në gjendje t'i ofronin mbrojtje dhe se ai mund të zhvendosej në një zonë tjetër të vendit, duke kundërshtuar pretendimin se jeta e tij do të ishte në rrezik.
Çfarë ndodhi në gjykatë
Në mars të vitit 2025, çështja u shqyrtua nga Gjykata e Emigracionit në Londër. Çela këmbënguli se dënimet ndaj tij në Shqipëri kishin qenë të motivuara politikisht dhe se ai kishte qenë "thjesht një biznesmen", duke mohuar lidhjet me bandën kriminale.
Megjithatë, procesi vijoi me apel dhe, sipas The Sun, gjyqtari Jeremy Rintoul rrëzoi pretendimet e tij, duke e cilësuar atë "gënjeshtar". Pas këtij vendimi, autoritetet britanike kishin lënë të kuptohej se deportimi i tij ishte i afërt.
Por 15 muaj më vonë situata mbetet e pandryshuar. Sipas artikullit të publikuar nga The Sun, Maksim Çela vazhdon të jetë në Britani, pasi ka hapur një tjetër procedurë ligjore që po zvarrit edhe një herë deportimin e tij në Shqipëri.


