I akuzuar për trafik droge nga Amerika Latine drejt Europës, GJKKO lë në burg djalin e Erzen Breçanit

Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka vendosur të lërë në fuqi masën e sigurisë “arrest në burg” për djalin e Erzen Breçanit, Eralbi Breçanin.
Sipas njoftimit zyrtar, trupi gjykues monokratik shqyrtoi çështjen penale nr. 27, të regjistruar më 3 korrik 2026, mbi ankimin e bërë nga Breçani kundër vendimit nr. 43, datë 15.06.2026, të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë.
Pas shqyrtimit të kërkesës, Gjykata e Posaçme e Apelit vendosi miratimin e vendimit të Shkallës së Parë dhe vijimin e zbatimit të masës së sigurimit “Arrest në burg”, të parashikuar nga neni 238 i Kodit të Procedurës Penale.
Në dosjen e SPAK, Eralbi Breçani dyshohet se ka nisur aktivitetin e trafikimit dhe se në të paktën dy raste e ka kryer këtë veprimtari në bashkëpunim me persona të tjerë.
Hetimet e SPAK kanë ngritur dyshime edhe lidhur me disa grupe komunikimi në aplikacionet e mesazheve, ku pjesëmarrës është edhe Ervin Mata, kunati i Breçanit. Sipas organit të akuzës, ekzistojnë dyshime se këto komunikime mund të jenë përdorur për qëllime të lidhura me kryerjen e veprave penale.


