“Po shkonin në punë”/ Gruaja dhe djali i vdiqën në aksident, shqiptari në Greqi prek zemrat: Humba gjithçka!

Komuniteti i Paleokomit në Serres vijon të jetë i tronditur pas aksidentit tragjik rrugor të së premtes në mëngjes, ku humbën jetën një nënë shqiptare dhe djali i saj 21-vjeçar, teksa po shkonin në vendin e punës. Dhimbja më e madhe rëndon mbi bashkëshortin e 43-vjeçares dhe babanë e të riut, i cili brenda pak sekondash humbi gruan dhe djalin.
Në një prononcim për televizionin publik grek ERT, ai mes lotësh tha: “Humba si gruan ashtu edhe fëmijën tim. Ata ishin duke shkuar në punë, nuk e di çfarë ndodhi. Humba gjithçka.” Fjalët e tij kanë prekur opinionin publik në Greqi, ndërsa familja po përballet me një nga tragjeditë më të rënda.
Si ndodhi aksidenti
Sipas autoriteteve greke, aksidenti ndodhi rreth orës 07:30 në rrugën provinciale Amfipolis–Drama, pranë Paleokomit. Në timonin e automjetit ndodhej 21-vjeçari, ndërsa nëna e tij 43-vjeçare ishte ulur në sediljen e pasagjerit. Për arsye që ende po hetohen, makina kaloi në korsinë e kundërt dhe u përplas ballë për ballë me një kamion. Përplasja ishte jashtëzakonisht e fortë dhe nënë e bir humbën jetën në vendngjarje. Shoferi 56-vjeçar i kamionit, i cili mbeti i plagosur lehtë, ka rrëfyer momentet dramatike të aksidentit.
“Po lëvizja normalisht në korsinë time me rreth 75-80 kilometra në orë. Papritur pashë një makinë që po vinte drejt meje. Kishte humbur kontrollin dhe kishte kaluar në kahun tim. U përpoqa të shmangesha duke lëvizur majtas, por nuk pata kohë,” deklaroi ai për televizionin Mega. Një element kyç në hetim pritet të jenë pamjet e regjistruara nga kamera e vendosur në kamion. Sipas mediave greke, në momentin e aksidentit shoferi po transmetonte drejtpërdrejt në Facebook përmes kamerës së automjetit, e cila ka filmuar të gjithë ngjarjen. Pamjet tregojnë kamionin duke lëvizur normalisht në rrugën Amfipolis–Drama, ndërsa automjeti që vinte nga krahu i kundërt kalon vijën ndarëse dhe hyn në korsinë e kamionit, duke bërë të pashmangshme përplasjen.
Videoja pritet të analizohet nga ekspertët, pasi konsiderohet një provë e rëndësishme për zbardhjen e plotë të dinamikës së aksidentit.


