Hetimi pasuror për trafik droge, GJKKO sekuestron dy automjetet luksoze të “Raiffeisen Leasing”

Aktualitet
Hetimi pasuror për trafik droge, GJKKO sekuestron dy automjetet luksoze
Modeli i nje prej automjeteve te sekuestruara

Sekuestrimi i dy automjeteve luksoze gjatë hetimit pasuror për një shtetas të akuzar e dënuar për trafik droge jashtë Shqipërisë, ka vënë përballë prokurorisë së Posacme Bankën Raiffeisen, por kjo e fundit ka humbur në mënyrë domethënëse në të gjitha shkallët e gjyqësorit.

Raiffeisen Leasing, një degë e bankës që operon me dhënien e kredive apo pagesave me këste për blerje automjetesh, ka pretenduar pronësinë reale të dy makinave luksoze duke kërkuar heqjen e sekuestros ndaj tyre. Por kërkesa e bankës është rëzuar si e pabazuar, pasi personat të cilëve po u hetohej pasuria, kishin derdhur në llogaritë e Raiffeisen, shuma të mëdha monetare që duheshin verifikuar në burimin e tyre.

Natyrshëm aktiviteti i biznesit të kujtdo banke, është i lirë dhe nuk ka detyrim tu kërkojë dëshmi penaliteti qytetarëve me të cilët vepron, por në rastin konkret, cështja ka shkuar deri tek përpjekjet e “Raiffeisen Leasing” për të kundërshtuar veprimet e prokurorisë dhe për të kërkuar lirimin e dy automjeteve nga masa e sekuestrimit.   

Nga të dhënat e disponuara në fashikullin e këtij hetimi pasuror, ekziston një dyshim i arsyeshëm i bazuar në prova mbi ligjshmërinë e burimit të pasurisë së këtyre subjekteve të ligjit parandalues, ndër të cilat edhe të pasurive objekt të këtij gjykimi si: Autovetura e tipit "Mercedes-Benz", modeli G 63 AMG, me numër shasie (...........) dhe autoveturë e tipit "Merceds-Benz", modeli GLE 400 D4MATIC Coupe, me numër shasie (.......), në pronësi të “Raiffeisen Leasing” SHA, për të cilat, siç është bërë me dije nga organi i prokurorisë gjatë gjykimit në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë, po kryhen ende verifikimet e nevojshme, pra çështja ndodhet ende në fazën e hetimit pasuror. Për më tepër, që nga përmbajtja e kontratave të qirasë financiare, të administruara me cilësinë e provës, rezulton se nga ana e qiramarrësve A.Gj dhe R. Gj janë paguar shuma të konsiderueshme monetare, si paradhënie për çmimin përfundimtar të blerjes së mjeteve objekt kontrate, përkatësisht 45.000 dhe 29.100 euro, burimi i ligjshëm i sigurimit të të cilave, është ende në fazë verifikimi”, thuhet në dokumentin që disponon redaksia.

Sipas dokumentit, dy automjetet në fjalë kanë rezultuar në listën e pasurive të shtetasit P.GJ, i cili rezulton se me vendimin nr. 9, të vitit 2010, të Gjykatës Provinciale të Alicante me seli në Elce, Spanjë është deklaruar dhe është dënuar me 8 vjet e 9 muaj burgim për veprën penale të trafikimit të lëndëve narkotike në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, citon lajmifundit.al. Po kështu, rezulton se në muajin Qershor të vitit 2006 në bashkëpunim me pjestarë të tjerë të grupit kriminal, ky shtetas dhe persona të tjerë të paidentifikuar, kanë trafikuar në Spanjë një sasi prej 50 kg e 610 gram lëndë narkotike të lloit "heroinë", me një vlerë tregu prej 1 941 623 Euro.

-        Nga verifikimet e kryera nga ana e policisë gjyqësore në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit rezulton se shtetasi P. Gj me datë 17.02.2011, ka bërë ndërrimin e emrit nga "P.Gj" në "A. Gj".

Bazuar në këto informacione, prokuroria e posacme ka kryer verifikimin e pasurive në të gjitha identitetet e personit të dyshuar dhe të afërmve të tij, ku kanë rezultuar edhe dy automjetet super luksoze për të cilat është kërkuar sekuestrimi me qëllim që të merreshin masa për shmangien e cdo tjetërsimi të mundshëm të pronësisë së tyre.

Në referim të ligjit Nr. 10192, datë 3.12.2009, “Raiffeisen” i është drejtuar prokurorisë me shkresen nr. 3943 Prot, datë 09.08.2022 SPAK dhe ka kërkuar rivlersimin nga ana e tyre për sa i takon vendosjes së masës së sekuestros mbi automjetet në pronësi të "Raiffeisen Leasing" sha. “Raiffeisen Leasing" SHA, i ka dhënë znj.R. Gj dhe znj.K. Gj automjetet në fjalë me qira financiare për përdorimin e tyre për nevojat vetjake të qiramarrësve. Pra qëllimi i qirasë financiare ka qenë për arsye personale dhe jo të ndonjë natyre tjetër dhe "Raiffeisen Leasing" SHA, ka qenë gjatë gjithë kohës në mirëbesim. Në cilësinë e pronarit të ligjshëm, "Raiffeisen Leasing" nuk duhet të penalizohet me sekuestrimin e mjeteve që ka në pronësi. Sekuestrimi i mjeteve shkakton dëm financiar, pasi kërkuesi "Raiffeisen Leasing" është në kushtet, kur nuk mund të marrë këto mjete dhe të arketojë kësisoj vlerën e tyre të papaguar. Është lehtësisht e vërtetueshme nga ana e prokurorisë dhe gjykatës, me anë të provave të dorëzuara nga pala kërkuese se "Raiffeisen Leasing" SHA, sipas nenit 2 të Kontratave të Qirasë Financiare, ka paguar shumën prej 67,000 Euro për automjetin e parë dhe shumën prej 110,000 Euro për automjetin e dytë (70% të vlerës fillestare me të dyja rastet).

Hetimi pasuror për trafik droge, GJKKO sekuestron dy automjetet luksoze
Faksimile e dokumentit me kerkesen e Raiffeisen Leasing

-       Është fakt që të dy gjykatat kanë konstatuar pronësinë e "Raiffeisen Leasing" SHA, mbi dy automjetet objekt i kërkesës së paraqitur për gjykim. Që në këtë moment kërkesa e "Raiffeisen Leasing" SHA, duhej të ishte pranuar nga gjykata pasi vendimi i sekuestrimit cenon të drejtat e pronarit legitim i cili nuk ka lidhje me procesin penal.

Por ky pretendim i "Raiffeisen Leasing" SHA në përpjekje për të liruar dy automjetet e sekuestruara nga SPAK, ka marrë përgjigjen përfundimtare nga gjykata e lartë “se shkaqet e parashtruara në rekurs nuk janë të tilla që të paraqesin rëndësi për njësimin apo zhvillimin e praktikës gjyqësore; nuk sjellin ndonjë pasojë në vlefshmërinë e vendimit (nuk janë shkaqe që lidhen me mosrespektimin e ligjit procedural me pasojë pavlefshmërinë e akteve apo papërdorshmërinë e provave); si dhe nuk evidentohet që vendimi objekt rekursi të jetë në kundërshtim me praktikën e Kolegjit Penal ose të Kolegjeve të Bashkuara të Gjykatës së Lartë. Sa më sipër, Kolegji vlerëson se rekursi i paraqitur nga kërkuesi “Raiffeisen Leasing” SHA, nuk përmban ndonjë prej shkaqeve të sipërpërmendura dhe, për rrjedhojë, nuk mund të pranohet”.

Në përfundim të analizës ligjore dhe të provave, gjykata ka lënë në fuqi vendimin e sekuestrimit për dy automjetet duke rrëzuar kërkesën e “Raiffeisen Leasing” SHA.

Hetimi pasuror për trafik droge, GJKKO sekuestron dy automjetet luksoze
Faksimile e vendimit perfundimtar qe rrezon kerkesen e Raiffeisen Leasing

Po kështu, gjykata e vlerëson të pavend këtë kërkesë, pasi thekson se “Në vijim të hetimit pasuror, është detyrë e Prokurorisë të përballë argumentat dhe provat që duhet të marrë mbi kërkesën e të prekurve nga masa e sekuestrimit, për një konkluzion të drejtë lidhur me kushtin e vendosjes të masës së mundshme parandaluese të konfiskimit (specifikuar në nenin 24, shkronja "c" të ligjit'), në funksion të së cilës vendoset masa parandaluese e sekuestrimit, kushtin e shpenzimeve shpërpjestimore në raport me të ardhurat. Theksohet se personi i dyshuar (neni 3, pika 1) dhe personat e tjerë (neni 3, pika 2) kanë kanë barrën e provës për të justifikuar origjinën e ligjshme të pasurisë, për të provuar mungesën e lidhjes së pasurisë me cilësimin si produkte të veprave penale a investim të tyre. Për pasojë, personave të prekur (sikurse ankuesi Raiffeisen Leasing SHA) duhet t'iu jepet akses në vijim të fazës së hetimeve dhe verifikimeve nga ana e prokurorisë, për të kaluar këtë barrë prove, duke i kushtuar vëmendje frymës së ligjit, nën dritën e parashikimit të nenit 11, pika 1 dhe të nenit 24, pika 1 shkronja "c" të ligjit nr.10192, datë 03.12.2009 (nën titulluar "Kriteret për sekuestrimin e pasurisë" "Pranimi i kërkesës për konfiskim"), sipas të cilave, në nivelin e të ardhurave apo fitimeve, përllogariten vetëm ato që burojnë nga veprimtari të ligjshme të deklaruara”.

Me argumentet e mësipërme, ankimi i bërë nga “Raiffeisen Leasing SHA” nuk është pranuar duke lënë në fuqi sekuestrimin e dy automjeteve luksoze. Për këto dy automjete, dhe 21 prona të tjera përfshirë asete dhe biznese, SPAK ka kërkuar në GJKKO konfiskimin përfundimtar dhe kalimin e tyre në emër të shtetit./lajmifundit.al

ME TE LEXUARAT