Helmimi i studentëve të Akademisë së Sigurisë, reagon AKU: Ja çfarë u konstatua nga kontrollet

Aktualitet

Helmimi i studentëve të Akademisë së Sigurisë, reagon

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit ka reaguar në lidhje me helmimin nga ushqimi të 64 studentëve të Akademisë së Sigurisë.

AKU njofton se ka kryer kontrolle në subjektin “Sori-Al” që ushtron veprimtarinë e catering-ut pranë Akademisë së Sigurisë, Sauk si dhe në Garnizoni “Skënderbej” pranë Akademisë së Forcave të Armatosura. Nga verifikimet, sipas AKU-së, raportohet se kompania ushtronte aktivitetin në kushte higjieno-sanitare të përshtatshme dhe me dokumentacion shoqërues të përshtatshëm. Më tej thuhet se janë marrë mostra nga ushqimet që studentët konsumuan dhe pritet rezultati i analizave bio-kimike.

Njoftimi i AKU-së:

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit, në funksion të informimit publik dhe transparencës bën me dije se, nëpërmjet komunikimit ndërinstitucional me Akademinë e Sigurisë në Sauk ka marrë informacion për dyshim helmimi të disa kursantëve pranë kësaj akademie. Menjëherë, nga AKU janë kryer verifikimet përkatëse në subjektin SORI-AL, subjekt i cili ushtron veprimtarinë e catering-ut pranë Akademisë së Sigurisë, Sauk si dhe në Garnizoni “Skënderbej” pranë Akademisë së Forcave të Armatosura.

Nga verifikimet në Akademinë e Sigurisë, Sauk u konstatua se subjekti ushtronte aktivitetin në kushte higjieno-sanitare të përshtatshme dhe me dokumentacion shoqërues të përshtatshëm. U krye kampionimi i 14 mostrave (7 kampione nga vakti i drekës dhe 7 nga vakti i darkës nga kampionet në ruajtje të produkteve të gatshme të përpunuara pranë Garnizonit Skenderbej, Tiranë, dhe të konsumuara me datë 24.06.2026, pranë Akademisë së Sigurisë Sauk) për analizim për treguesit mikrobiologjikë pranë laboratorit të ISUV.

Në vijim të ndjekjes së gjurmuueshmërisë u krye inspektimi në subjektin “Garnizoni Skenderbej, Tiranë”, ku është kryer përpunimi i produkteve.

Në këto ambiente u konstatuan kushte higjieno-sanitare të përshtatshme dhe dokumentacion i plotë shoqërues. Gjatë procedurës u krye marrja e 14 mostrave në ruajtje të ushqimeve të gatuara nga vakti i drekës dhe darkës të datës 24.06.2026, si dhe 5 mostra tampon për higjienën ambientale dhe të pajisjeve, të cilat u dërguan për analizim pranë ISUV.

Në adresën Garnizoni Skënderbej, Tiranë, u mor masë me ndërprerje aktiviteti deri në daljen e përgjigjes së analizave. Gjatë këtyre procedurave inspektimi ishin prezentë edhe institucione të tjera si NJVKSH Tiranë (të cilët morën tampone ambientale në ambiente, pajisje dhe punonjës) ISHSH dhe Drejtoria e Policisë së Shtetit, Tiranë.

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit do të vijojë me ndjekjen hap pas hapi të gjithë rastit dhe marrjen e masave në vijim me qëllim garantimin e sigurisë ushqimore.

 

ME TE LEXUARAT