Goma e kamionit i mori jetën, flasin fqinjët e të riut: Djalë model, mbante prindërit e moshuar

Aktualitet

Goma e kamionit i mori jetën, flasin fqinjët e të riut:

Në orën 14:00 trupi i pajetë i 23-vjeçarit Rafael Tafaj do të lërë banesën në zonën e Kënetës në Durrës, për t’u kthyer në vendlindjen e tij në fshatin Cërrujë në Burrel, por kësaj here për t’u prehur përgjithmonë.

Familja e Rafaelit ishte shpërngulur në Durrës prej disa vitesh nga Burreli për një jetë më të mirë dhe shpresa e tyre ishte djali i vetëm, drita e syve.

Të afërmit e familjes Tafaj e përshkruajnë Rafaelin, si djalin model. “Punonte e mësonte duke mbajtur në shpatulla që në vegjëli barrën e familjes. Duke qenë djali i vetëm i familjes, që në moshën 15-vjeçare Rafaeli ka punuar përgjatë sezonit të verës në zonën e Plazhit, duke shitur herë pije për pushuesit. Në vjeshtë i drejtohej shkollës dhe sa herë gjente mundësi për të punuar, të ardhurat i çonte në familjen e tij të varfër”, thanë ata.

Pasi mbaroi shkollën e mesme profesionale në Durrës, Rafaeli nuk pati mundësi të ndiqte studimet e larta, por u punësua si gomist. “Meqenëse e kishte punën afër banesës, prej 2 vitesh me pagën e tij mbante dy prindërit e moshuar, ndërsa një motër e kishte të martuar dhe jetonte jashtë”, tregojnë ata.
Të afërmit thanë se dy prindërit e tij të moshuar jo vetëm që tani janë zhytur në mjerim pasi humbën dritën e syve, por janë dhe në vështirësi të mëdha ekonomike e sociale, pasi nuk kanë shtëpi dhe të ardhura.

Rafael Tafaj humbi jetën dje në punë, teksa rregullonte gomën e një kamioni, e policia ka arrestuar pas ngjarjes pronarin e këtij biznesi dhe ka proceduar penalisht shoferin e ambulancës, i cili thuhet se ka mbërritur vonë në vendin e ngjarjes, duke vonuar kështu edhe dhënia e ndihmës së parë për të riun.

ME TE LEXUARAT

NA SHKRUAJ

Portali Lajmifundit sjell Lajme nga Shqipëria, rajoni dhe bota në kohë rekord. Ju lutemi na kontaktoni nëse doni të kontribuoni me informacione të vlefshme për publikim në portalin tonë.

Kliko për më shumë informacion