Gjykata e Lartë e SHBA-ve do të shqyrtojë pretendimet e ish-Presidentit Trump për imunitet

Gjykata e Lartë e Shteteve të Bashkuara vendosi të shqyrtojë pretendimet e ngritura nga ish presidenti Donald Trump, se një ish-president gëzon imunitet nga ndjekja penale për veprime zyrtare gjatë kohës që ka qënë në detyrë.
Gjatë muajit prill organi më i lartë gjyqësor me shumicë konservatore do të dëgjojë argumentet e palëve nëse ish Presidenti Trump mund të gjykohet për përpjekjet e tij për të përmbysur rezultatin e zgjedhjeve të vitit 2020. Vendimi që pritet të merret në fund të qershorit, do të shkaktojë vonesa të tjera në betejat ligjore të zotit Trump.
Gjykata e Lartë ra dakord të mërkurën të shqyrtojë pretendimet e ish Presidentit Donald Trump se ai gëzon imunitet nga ndjekja penale mbi përpjekjet për të përmbysur rezultatin e zgjedhjeve që i humbi më 2020.
Vendimi i së mërkurës do të vonojë edhe më shumë proceset gjyqësore të zotit Trump, ndërsa ai kandidon për t’u rikthyer në Shtëpinë e Baardhë dhe e vë organin më të lartë gjyqësor të vendit me një shumicë konservatore 6 me 3, kur tre gjyqtarë janë emëruar nga zoti Trump, në qendër të vëmendjes në betejën zgjedhore.
Vendimi i gjykatës së Lartë për të shqyrtuar pretendimin, pezullon ndërkohë procesin gjyqësor që kishte filluar, mbi përpjekjet e zotit Trump për të përmbysur rezultatin e zgjedhjeve, që drejtohet nga Prokurori i Posaçëm Jack Smith. Gjyqi nuk do të nisë më 4 mars siç ishte parashikuar dhe nuk ka një datë të re gjyqi.
Ish Presidenti Trump pretendon se gëzon i munitet ndaj ndjekjes penale sepse ai ishte president në kohën kur ndërmori veprimet që synonin përmbysjen e rezultatit të zgjedhjeve që u fituan nga demokrati Joe Biden.
Gjykata e Lartë do të shqyrtojë vendimin e gjykatës së apelit, e cila i ka hodhur poshtë pretendimet e zotit Trump se gëzon imunitet nga ndjekja penale.
Argumentet mbi këtë çështje do të dëgjohen në muajin prill, ndërsa vendimi pritet të merret në fund të qershorit.
Gjyqtarët do të përqëndrohen tek një pyetje: “Nëse, dhe në qoftë se po, deri në çfarë mase gëzon imunitet presidencial nga ndjekja penale një ish president, për veprime që supozohet se përfshinin akte zyrtare gjatë mandatit në Shtëpinë e Bardhë”.