Fshihnin milionat që përfitonin nga këmbimi i valutave, procedohen 8 persona në Elbasan

Aktualitet

Fshihnin milionat që përfitonin nga këmbimi i valutave,

Tetë administratorë subjektesh janë vënë nën hetim nga Policia e Elbasanit, pasi akuzohen për fshehje të të ardhurave që përfitonin përmes këmbimit të valutave të huaja. Shuma që dyshohet se është mbajtur e padeklaruar kap vlerën e 54 milionë lekëve, ndërsa gjatë operacionit janë sekuestruar edhe shuma të konsiderueshme në euro, dollarë, franga, paund, lira turke dhe një armë sportive pistoletë me fishekë manovër.

Operacioni policor i koduar “The Script” u zhvillua nga Specialistët për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare, në bashkëpunim me strukturat e tjera të DVP Elbasan dhe nën drejtimin e Prokurorisë lokale. Gjatë këtij aksioni, u ushtruan kontrolle në disa subjekte që operonin si pika këmbimi valutor në qytetin e Elbasanit.

Hetimet nxorën në dritë se administratorët nuk deklaronin fitimet reale dhe vepronin në kundërshtim me legjislacionin financiar dhe tatimor në fuqi.

Të proceduarit janë shtetasit:
• K. B., 65 vjeç
• S. T., 56 vjeç
• I. I., 64 vjeç
• R. T., 59 vjeç
• A. T., 66 vjeç
• E. Z., 22 vjeç
• N. B., 37 vjeç
• Z. B., 40 vjeç

Të gjithë banues në Elbasan. Në cilësinë e provës materiale, përveç parave në valuta të ndryshme, autoritetet sekuestruan edhe armën sportive që u gjet në ambientet e subjektit të shtetasit A. T.

Materialet procedurale tashmë i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për hetime të mëtejshme dhe ndjekje ligjore.

Ky rast shton edhe një herë shqetësimin për informalitetin dhe mashtrimet në sektorin financiar në vend.

ME TE LEXUARAT