Çfarë po ndodh? Punonjësit braktisën punën, policia zbarkon në zyrat e "AlbControl"

Policia ka dërguar dy grupe në zyrat e "AlbControl". Dy furgonat e policisë janë pozicionuar pranë këtij institucioni.
Sipas burimeve policia ka marrë këtë veprim për arsye sigurie. Sipas policisë, hapësira ajrore e Shqipërisë është e pasigurtë pasi s'ka kontrollorë.
Policia e Shtetit ka dërguar në aeroportin e Rinasit, 2 grupe të FNSH-së, ndërsa në patrullim është dhe policia ushtarake.
Prezenca e policisë dhe ushtrisë bëhet për efekt sigurie, pasi Albcontroll është institucion i sigurisë së lartë.
Me grevën e 65 kontrollorëve të Albcontrol është pezulluar puna në aeroport, duke ndërprerë kështu fluturimet hyrëse dhe dalëse në aeroportin e vetëm ndërkombëtar që ka vendi ynë.


