Euro prek një rekord të ri minimumi historik, zbret në 100.23 lekë

Aktualitet

Euro prek një rekord të ri minimumi historik, zbret në 100.23


Euro ka shënuar një rënie të lehtë në kursin e këmbimit në ditët e para të kësaj jave, aq sa për të regjistruar një minimum të ri historik në kursin e këmbimit me lekun.

Sipas kursit zyrtar të këmbimit të Bankës së Shqipërisë, monedha europiane u këmbye të martën me 100.23 lekë, nga 100.24 lekë që ishte rekordi i mëparshëm, i shënuar më datë 25 qershor.

Luhatjet e kursit të këmbimit këtë verë janë minimale dhe kanë kryesisht vlerë statistikore, duke qenë se qysh prej muajit maj e në vazhdim, kursi është mbajtur praktikisht i fiksuar nga Banka e Shqipërisë, pak sipër nivelit të 100 lekëve.

Megjithatë, sezoni veror e ka ngushtuar ndjeshëm hendekun e mbiçmimit vjetor të euros. Rënia vjetore e kursit të këmbimit ka zbritur në 2.6%, nga 9.1% që kishte qenë në fund të vitit 2023.

Në kushtet e rritjes së prurjeve valutore gjatë sezonit veror, Banka e Shqipërisë ndërhyn periodikisht në tregun valutor duke kryer blerje të drejtpërdrejta të valutës, me qëllim për të mos lejuar rënien e monedhës europiane poshtë kufirit të 100 lekëve.

Kjo ndërhyrje është argumentuar me objektivin ligjor të inflacionit. Në pjesën e parë të këtij viti, inflacioni ka rënë poshtë objektivit prej 3% të Bankës së Shqipërisë. Sipas INSTAT, në muajin qershor inflacioni vjetor ishte 2.1%, në nivelet më të ulët të tre viteve të fundit. Një efekt të rëndësishëm në uljen e inflacionit ka patur edhe forcimi i lekut në kursin e këmbimit me euron, duke ulur inflacionin e importuar nga jashtë.

Sipas Bankës së Shqipërisë, vlera e valutës së blerë në treg do të bëhet publike vetëm në raportin për ndërhyrjet në tregun e parasë, që si rregull publikohet me një kohë vonesë prej tre muajsh.

Banka e Shqipërisë nuk ka përcaktuar afate apo parametra të qarta për ndërhyrjen e saj në kursin e këmbimit. Besohet se objektivi i ndërhyrjes së Bankës së Shqipërisë është të mos lejojë rënien e euros poshtë kufirit të 100 lekëve, i përcaktuar si një lloj kufiri psikologjik.

ME TE LEXUARAT