EMRI/ Aksidenti i merr jetën shqiptarit në Itali, po shkonte të takonte të dashurën

Një shqiptar ka humbur jetën në një aksident tragjik teksa po udhëtonte nga Ravenna në Forli. Ai ishte duke shkuar për tek e dashura e tij, kur humbi kontrollin e “Alfa Romeo”-s, doli nga rruga dhe gjeti vdekjen pas përplasjes me pemët pranë bregut të lumit Ronco. Viktima e tragjedisë që ndodhi pasditen e vonë të së shtunës përgjatë Ravegnanës është Lorenc Beqari, 45 vjeç me kombësi shqiptare.

Aksidenti ndodhi në Durazzanino, në kufirin mes provincave Forlì-Cesena dhe Ravenna, ndërkohë që zona ishte përfshirë nga moti i keq, me erë të fortë dhe shi. Dinamika e fakteve po shqyrtohet nga agjentët e Departamentit të Aksidenteve të Policisë Lokale të Forlit.
E dashura e tij Sandra Tampieri, një fytyrë e njohur në qytet për pjesëmarrjen në spektaklin e “Maurizio Costanzo Show”, ka deklaruar se ai ishte nisur për tek ajo. Beqari ishte një biznesmen me origjinë nga Durrësi, por banonte në Ravenna.


