Ekzekutimi i ish-policit Arben Bilali/ Dëshmia e të penduarit Enver Jamaku rihap hetimet për Gjergj Cukalin

Aktualitet

Ekzekutimi i ish-policit Arben Bilali/ Dëshmia e të penduarit Enver
Pas vendimit të Gjykatës së Apelit, prokuroria pritet të rihapë hetimet për Gjergj Cukalin, i dyshuar për vrasjen e ish-policit Arben Bilali shtatë vite më parë në zonën e Selitës.

Por, teksa prokuroria do të duhet të realizojë detyrat e caktuara në vendimin e gjykatës, News 24 ka mësuar se lidhur me këtë ngjarje, gjatë një seance në Gjykatën e Posaçme është rrëfyer i penduari i drejtësisë Enver Jamaku.

Mbi bazën e dëshmisë së Jamakut, Gjergj Cukali është gjetur fajtor për atentatin e mbetur në tentativë ndaj Gjon Menës në Kamëz, si dhe janë dënuar edhe disa persona të tjerë për krime të rënda.

Lidhur me vrasjen e ish-policit Bilali, i penduari i drejtësisë flet, ndër të tjera, për një bisedë të zhvilluar mes tij dhe një personi të identifikuar si Ad Bomi.

Ai shpjegon se shkoi tek Xubi i Yzberishtit, i referohet shtetasit Fatmir Avdillarit, për të marrë një makinë, pasi kishte rezultuar me problem shasie dhe ndërmjetës për shitjen ishte Ad Bomi. “Kur kam takuar Xubin e Yzberishtit, Adi më ka thënë: ‘Mos i jep muhabet këtij lale, se ky është hasmi i Gjergj Cukalit, pasi Gjergji i ka vrarë shokun e tij Arben Bilali dhe vëllain e tij’”, rrëfen Jamaku.

I penduari i drejtësisë pretendon se këtë bisedë e ka bërë edhe më vonë me Ad Bomin dhe i ka konfirmuar të njëjtën gjë. Lidhur me këtë ngjarje, i penduari i drejtësisë nuk jep detaje të mëtejshme në dëshminë e dhënë para Gjykatës së Posaçme, por me rihapjen e dosjes ndoshta hetuesit do ta pyesin të penduarin për të rrëfyer versionin e tij për këtë ngjarje dhe mënyrën se si i ka siguruar informacionet.

Disa kohë më parë, Gjykata e Apelit vendosi të prishë vendimin e shkallës së parë, që pati pushuar hetimet për Gjergj Cukalin dhe të urdhërojë prokurorinë ta hetojë të fortin e Myslim Shyrit për akuzat e vrasjes me paramendim dhe armëmbajtjes pa leje.


Në 2020, me kërkesë të prokurorisë, Gjykata e Tiranës pushoi çështjen ndaj Cukalit, për mungesë provash, pasi ADN-ja e gjetur në një shishe plastike që u zbulua në makinën e përdorur në vrasje u konsiderua provë e pavlefshme.

Arben Bilali, ish-punonjës policie, u ekzekutua në zonën e Selitës në 2019, ndërsa më herët i ishin vrarë edhe dy vëllezërit, Bujar Bilali në vitin 1998, ndërsa Leonardi, ish-mundës i Dinamos, në gusht të vitit 2010.

ME TE LEXUARAT