E konfirmon Policia e Vlorës: Pronarit të hotelit i vunë gjobë 5 mln euro, mes të arrestuarve një shtetas kosovar

Aktualitet

E konfirmon Policia e Vlorës: Pronarit të hotelit i vunë

Pesë persona janë arrestuar dhe gjashtë të tjerë janë shpallur në kërkim në lidhje me incidentin me armë zjarri të ndodhur mesditën e së enjtes në një hotel në zonën e Radhimës.

Kryepolici i Vlorës tha se rreth orës 13:00, një tjetër automjet i shpallur në kërkim u ndalua nga shërbimet e Policisë së Fierit në zonën e Mbikalimit të Memorialit. Automjeti drejtohej nga shtetasi kosovar Blerim Heta.

Gjatë kontrollit, policia konstatoi dëmtime në xhamin e anës së pasagjerit, të cilat dyshohet se janë shkaktuar nga të shtënat me armë zjarri. Në automjet u gjetën edhe tre fishekë pistolete.

Sipas versionit të policisë, grupi i ka kërkuar pronarit të hotelit një shumë prej 5 milionë eurosh, duke e kërcënuar me armë dhe duke ushtruar dhunë fizike. Po sipas policisë, atij i është dhënë ultimatum që brenda 48 orësh të largohej nga Shqipëria.

Policia deklaron gjithashtu se Angjelo Breshani ka shkuar te automjeti i Vasil Bedinajt, ka marrë një armë zjarri që ky i fundit e posedonte me leje dhe ka qëlluar në drejtim të automjeteve të personave që ndodheshin në zonë.

Në përfundim të veprimeve, policia ka arrestuar:

Luan Muçën, 55 vjeç, banues në Tiranë;

Klaudio Lleshajn, 29 vjeç, banues në Tiranë;

Mandrit Lleshajn, 33 vjeç, banues në Tiranë;

Blerim Hetën, 40 vjeç, shtetas kosovar;

Angjelo Breshanin, 29 vjeç, banues në Vlorë.

Ndërkohë, 6 persona të tjerë janë shpallur në kërkim, së bashku me 4 automjete që dyshohet se janë përdorur në ngjarje.

Hetimet vijojnë në bashkëpunim me Prokurorinë, me qëllim dokumentimin e plotë të rrethanave dhe përfshirjes së personave të dyshuar.

Materialet pritet t’i referohen Prokurorisë për veprat penale “Shtrëngimi me anë të kanosjes për dhënie pasurie”, kryer në bashkëpunim, si dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”.

ME TE LEXUARAT