Dyshohet se ka humbur jetën në minierën e Bulqizës, vijojnë kërkimet për gjetjen e minatorit 40-vjeçar

Aktualitet

Dyshohet se ka humbur jetën në minierën e Bulqizës,

Vijojnë kërkimet për gjetjen e minatorit që dyshohet se ka humbur jetën në një nga galeritë e minierës në zonën e Tërnovës së Madhe, Njësia Administrative Zerqan, Bashkia Bulqizë, Ilir Koloveri 40 vjeç.

Ekipet e shpëtimit, së bashku me specialistët e minierës dhe strukturat përgjegjëse, kanë punuar pa ndërprerje gjatë gjithë natës dhe vijojnë operacionin edhe mëngjesin e sotëm, në përpjekje për të lokalizuar dhe nxjerrë trupin e minatorit.

Sipas informacioneve paraprake, minatori ka mbetur i bllokuar brenda galerisë pas një shembjeje masive të materialit minerar. Kushtet e vështira nëntokësore, rreziku i shembjeve të tjera dhe sasia e madhe e materialit të rrëzuar kanë vështirësuar ndjeshëm ndërhyrjen e ekipeve të shpëtimit, të cilat po avancojnë me kujdes për të garantuar sigurinë e tyre gjatë operacionit.

Ngjarja ka rikthyer në kujtesë një prej aksidenteve më të rënda të ndodhura në minierat e Bulqizës. Në vitin 2021, minatori Muhartem Plaku mbeti i bllokuar për pesë ditë në një nga galeritë e Zonës së Parë, pasi u aksidentua gjatë procesit të punës si pasojë e shembjes së një sasie të madhe materiali. Pas një operacioni të gjatë dhe tepër të vështirë kërkim-shpëtimi, ekipet arritën ta nxirrnin trupin e pajetë etëm pas pesë ditësh, për shkak të vështirësive të krijuara nga shembja dhe bllokimi i galerisë.

Autoritetet kanë bërë të ditur se operacioni do të vazhdojë pa ndërprerje deri në përfundimin e kërkimeve dhe se çdo informacion zyrtar do të bëhet publik sapo të ketë zhvillime të reja.

Aksidentet në minierat e Bulqizës vijojnë të ngjallin shqetësim për kushtet e punës dhe sigurinë e minatorëve, ndërsa ngjarje të tilla tragjike rikthejnë në vëmendje nevojën për masa më të forta parandaluese dhe kontrolle të vazhdueshme në galeritë e shfrytëzimit minerar.

ME TE LEXUARAT