Dumani: Ka pasur 193 kallëzime për krime zgjedhore, por vetëm një çështje ka shkuar në gjykatë

Aktualitet

Dumani: Ka pasur 193 kallëzime për krime zgjedhore, por vetëm

Kreu i SPAK, Altin Dumani, deklaroi sot se janë depozituar 193 materiale për krime zgjedhore në kuadër të zgjedhjeve të 11 majit, por vetëm një procedim penal është dërguar për gjykim. Gjatë një takimi me gazetarët, ai u shpreh se strategjia e ndjekur nga institucionet ka pasur efekt parandalues dhe është shoqëruar me bashkëpunim të gjerë, por mungesa e provave mbetet problem kyç.

Nga materialet e administruara, 35 kanë ardhur nga Policia e Shtetit, 80 nga qytetarët dhe 16 nga persona juridikë. Aktualisht mbeten nën hetim 39 procedime penale, ndërsa janë lëshuar 17 urdhra kontrolli në banesa dhe ambiente personale, ku janë sekuestruar disa prova materiale.

Dumani bëri të ditur se SPAK ka qenë në komunikim të vazhdueshëm me partitë politike dhe Policinë e Shtetit, por theksoi se shumë kallëzime për shitblerje votash dhe abuzim me administratën ishin thjesht formale dhe nuk përmbanin elementë të mjaftueshëm për hetim. Janë regjistruar gjithashtu 43 vendime për mosfillim hetimesh, nga të cilat vetëm 3 janë ankimuar dhe gjykata i ka dhënë të drejtë prokurorisë.

“Edhe pse periudha zgjedhore ka përfunduar, hetimet mbeten prioritet për prokurorët. Tipologjia e kallëzimeve ka përfshirë edhe raste si shpërdorimi i asfaltit elektoral. Por në shumicën dërrmuese të rasteve, nuk janë paraqitur prova konkrete,” – tha Dumani.

Ai falënderoi prokurorët për angazhimin, duke shtuar se të gjitha kallëzimet janë verifikuar dhe asnjë vendim për mosfillim nuk është kundërshtuar me sukses në gjykatë.

ME TE LEXUARAT