Aksident në aksin Levan-Vlorë, motoçikleta përplaset me trajlerin, mbeten dy të plagosur

Një aksident i rëndë rrugor ka ndodhur paraditen e kësaj të enjteje në aksin nacional Levan–Vlorë, pranë urës së Mifolit. Sipas informacioneve paraprake, një motoçikletë është përplasur me një trajler, ndërsa dy persona kanë mbetur të plagosur.
Nga të dhënat e para, mësohet se aksidenti ndodhi në momentin kur motoçikleta po tentonte të parakalonte, por për arsye ende të paqarta është përplasur me mjetin e tonazhit të rëndë.
Përplasja ka qenë e fortë dhe ka shkaktuar lëndime për drejtuesin e motorit dhe pasagjerin, të cilët janë transportuar me urgjencë drejt spitalit më të afërt, ku po marrin trajtimin e nevojshëm mjekësor.
Në vendngjarje kanë mbërritur forcat e policisë rrugore dhe grupi hetimor, të cilët po punojnë për të zbardhur rrethanat e aksidentit dhe për të përcaktuar përgjegjësitë konkrete.
Gjendja e të plagosurve nuk është bërë ende publike nga autoritetet shëndetësore, ndërsa trafiku në zonë ka pësuar vonesa për disa minuta për shkak të aksidentit.


