Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Ilir Proda zgjidhet president i SEPCA
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ilir Proda është zgjedhur president i SEPCA-s (Shoqata e Shefave të Policisë të Evropës Juglindore).
Në fjalën e mbajtur gjatë Asamblesë së Përgjithshme të SEPCA-s të mbajtur në Beograd, kryepolici Proda deklaroi se misioni i çdo efektivi është lufta pa kompromis ndaj krimit për të garantuar sigurinë e qytetarëve.
Ai iu drejtua të pranishmëve të tjerë se tek Policia shqiptare do të gjejnë angazhim, përkushtim, vendosmëri dhe besueshmëri për të zhvilluar hetime dhe operacione të përbashkëta.
Merr lajme ekskluzive në Whatsapp
Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Whatsapp duke klikuar këtu.
“Ju siguroj për angazhimin tim maksimal në krye të SEPCA-s dhe të Policisë së Shtetit Shqiptar për të punuar bashkërisht duke thelluar më shumë bashkëpunimin e deritanishëm. Ne jemi punonjës policie dhe kemi një mision: luftë pa kompromis krimit për të garantuar sigurinë e qytetarëve të vendeve tona. Te Policia e Shtetit Shqiptar do të gjeni angazhim, përkushtim, vendosmëri dhe besueshmëri për të zhvilluar hetime dhe operacione të përbashkëta.
Pjesëmarrja e presidentit të Interpolit dhe përfaqësuesve të tjerë të agjencive ligjzbatuese është tregues i mbështetjes dhe besimit që ata kanë te puna jonë, dhe kjo na obligon për të ecur përpara, duke korrigjuar ato që s’kemi bërë mirë dhe duke ndërmarrë hapat e duhur për të parandaluar e goditur krimet globale që kërcënojnë mbarë botën, me qëllim që të mundësojmë sundimin e ligjit dhe krijimin e një ambienti sa më të pasigurt për ata që shkelin ligjin.” – ka deklaruar Ilir Proda.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit do ta mbajë postin e Presidentit të SEPCA-s deri në muajin dhjetor të vitit 2025.