"Do të publikoj fotot", shantazhonin adoleshenten, arrestohet çifti i ri dhe një 17-vjeçare
Një çift të rinjsh ( burrë e grua ) dhe një 17-vjecare janë arrestuar në Mat, pasi shantazhonin një shtetase 17-vjeçe, për dhënie parash, për mospublikimin e videove dhe fotove personale, në rrjete sociale.
“Shërbimet e Sektorit për Hetimin e Krimeve Kibernetike, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Mat, në vijim të punës për goditjen e krimeve kibernetike, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Blackmail”, ndjekur me metoda speciale të hetimit.
Gjatë operacionit u arrestuan shtetasit I.M., 23 vjeç, S.M., 24 vjeçe, (burrë dhe grua) dhe një 17-vjeçare, (lidhje familjare me shtetasin I.M), të gjithë banues në Komsi, Mat.
Merr lajme ekskluzive në Whatsapp
Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive? Bashkohuni me grupin tonë në Whatsapp duke klikuar këtu.
Falë veprimeve hetimore profesionale të kryera gjatë zhvillimit të këtij operacioni, është bërë dokumentimi i plotë ligjor i veprimtarisë kriminale të këtyre shtetasve, të cilët në bashkëpunim me njëri-tjetrin, krijonin profile në rrjetin social “Instagram”, dhe shtanatazhonin një 17-vjeçare, duke i kërkuar vlera monetare për mospublikimin e disa fotove e videove intime.
Gjithashtu, nga veprimet hetimore të kryera është dokumentuar ligjërisht se tre shtetasit e arrestuar, kanë përfituar nga 17-vjeçarja, shumën e parave prej 15.000 lekë.
Në cilësinë e provës materiale është sekuestruar shuma parave dhe 4 celularë”, njofton policia.
Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.