Detaje nga ngjarja në Shkodër, çifti amerikan ndodhej në Shqipëri prej datës 27 mars. Kishin vizituar…

Zbardhen detaje të reja nga krimi që tronditi Shkodrën mëngjesin e kësaj të premte, ku protagonistë ishin 2 turistë amerikanë, burrë e grua. Shtetasja amerikane Sandra Holley Saporito u vra nga bashkëshorti i saj Brandon Saporito 57 vjeç, në dhomën e hotelit. Autori e ka qëlluar viktimën disa herë me thikë dhe më pas tentoi t’i japë fund jetës në kushtet e tronditjes psikologjike, duke prerë damarët.
Nga profili në Facebook i autorit, shihet se çifti ndodhet në vendin tonë që nga 27 marsi. Pikërisht në këtë datë ata kanë mbërritur në aeroportin “Nënë Tereza”, ndërsa në foton e publikuar, Sandra Saporito shkruan se udhëtimi kishte shkuar mirë dhe se a ta ndodheshin në Tiranë. Në foton e publikuar, burrë e grua shihen të ulur në ambientet e një bar kafeje në Rinas. Me vete ata kanë patur edhe qenin.
Ata ishin nisur në drejtim të Shqipërisë nga aeroporti i Miamit, në datën 26 mars, ndërsa Sandra nuk i ka fshehur emocionet e udhëtimit drejt tokës tonë, në një postim gjithashtu në Facebook, në datën 26 mars.
Edhe postimet më të vjetra në rrjetet sociale tregonin Brandon Saporiton dhe bashkëshorten e tij Sandra, si një çift që jetonin të lumtur dhe në harmoni.
Ata kanë zhvilluar vizita në disa zona të Shqipërisë, si në Himarë, në Tiranë ku kanë vizituar Malin e Dajtit dhe së fundmi edhe në Shkodër, ku edhe ndodhi ngjarja e rëndë. Madje, në datën 30 prill, tre ditë pas mbërritjes në Shqipëri, Brendon Saporito ka publikuar në Facebook foto dhe video duke shprehur impresionet e tij për udhëtimin nga Tirana në Malin e Dajtit me teleferik, sipas tij, më i gjati në rajonin e Ballkanit.
Çifti amerikan ka publikuar në rrjetet sociale foto dhe video nga vendet që ata kanë vizituar në Tiranë si te Parku i Liqenit, Piramida dhe zona të tjera të kryeqytetit.


