Detaje/ Hakmarrje për ekzekutimin e Boran Bërçanës, si u vra ish-polici dhe bashkëjetuesja e tij 7 vite më parë!

Tre personat, Safet Bajri, Astmer Bilali dhe Behar Bajri, për të cilët GJKKO caktoi masën e sigurisë arrest me burg pasi akuzohen se kanë organizuar vrasjen e Fatbardh Licit.
SPAK sqaron se ekzekutimi i Fatbardh Licit është bërë si hakmarrje për vrasjen e ish-policit Boran Bërçana 7 vite më parë së bashku me bashkëjetuesen e tij Silvi Ndoci.
"Boran Bërçana dhe partnerja e tij u ekzekutuan në korrik 2018 , ndërsa djali i tyre 2 vjeç që ndodhej në makinë shpëtoi për mrekulli. Ngjarja ndodhi rreth orës 01:15 në lagjen “Naim Gjylbegu” në Shkodër, ndërsa gjithçka është zbuluar vetëm 5 orë më pas, kur Policia e njoftuar nga një prej fqinjëve, gjeti dy viktimat brenda në makinën tip “Benz” me targë AA 006 HA. Brenda mjetit, në prehrin e nënës ndodhej edhe djali i vogël i çiftit", sqarohet në dosje.
Sipas hetuesve, ish-punonjësi i policisë Bërcana pasi ka parë autorin e krimit me armë në dorë, është hedhur në anën e partneres së tij për ta mbrojtur atë me trupin e tij.
Djali i vogël dyshohet se ka qenë në gjumë, në pjesën e pasme të makinës, kur ka ndodhur vrasja e dyfishtë, ndërsa më pas i është afruar nënës së tij i tmerruar nga zhurma e të shtënave.
Fëmija i vogël ka qëndruar për rreth 5 orë brenda makinës.


