Gjykata Kushtetuese rrëzon opozitën, nuk pranon padinë për Portin e Durrësit: S`keni argumente!

Gjykata Kushtetuese ka rrëzuar për herë të dytë padinë e deputetëve të opozitës për Portin e Durrësit.
Në dosjen e Kushtetueses, theksohet se opozita nuk ka depozituar argumente ligjore për të mbrojtur akuzën.
Njoftimi i plotë:
Për sa u takon pretendimeve të kërkuesve për antikushtetutshmërinë e katër VKM-ve, përkundrejt standardeve përkatëse të jurisprudencës kushtetuese, Gjykata, me shumicë votash, arriti në përfundimin se ato (VKM-të) janë akte individuale dhe si të tilla nuk i nënshtrohen juridiksionit kushtetues në bazë të nenit 131, pika 1 (c) të Kushtetutës.
Gjykata vlerësoi se kërkuesi legjitimohet si subjekt (ratione personae dhe ratione temporis) për të gjitha pretendimet e ngritura në kërkesë lidhur me ligjin nr. 79/2022.
Më tej, në vlerësim të brendisë dhe natyrës kushtetuese të pretendimeve konkrete (ratione materiae), Gjykata, me shumicë votash, vlerësoi se pretendimet e kërkuesit për cenimin e:
* identitetit kombëtar dhe trashëgimisë kulturore si rezultat i zhvillimit të projektit strategjik në territorin e portit të Durrësit;
* nenit 11/2 të Kushtetutës, për shkak të dështimit të shtetit për të mbrojtur këtë pronë publike, duke ia vënë atë në dispozicion një shoqërie private (pjesërisht);
* së drejtës për transparencë për shkak të: (i) moszhvillimit të seancave dëgjimore me grupet e interesit; (ii) mosinformimit të deputetëve për disa pjesë të kontratës; (iii) procedurës së përshpejtuar në miratimin e ligjit; (iv) paqartësive lidhur me pronarin përfitues fundor;
* nenit 82/1 të Kushtetutës, për shkak se projektligji nuk është shoqëruar me raportin që përligj shpenzimet financiare për zbatimin e tij;
* Kushtetutës, MSA-së dhe Marrëveshjes për Heqjen e Vizave midis Shqipërisë dhe BEsë, për shkak të krijimit të një skeme të tipit golden passports;
* parimeve të autonomisë vendore, për shkak të faktit se Bashkia Durrës dhe banorët e atij qyteti do të privohen nga të ardhurat që do të vijnë në formën e taksës së ndikimit mbi infrastrukturën dhe përfitimi i kuotës ligjore për banesat sociale, nuk do të merren në shqyrtim për sa kohë që kërkuesi nuk ka arritur të paraqesë argumente kushtetuese.
Në lidhje me pretendimin e dytë, Gjykata, me shumice votash, arriti në përfundimin se ai është i pabazuar, pasi përjashtimi i investitorit strategjik nga detyrimi për të paguar këto taksa/ detyrime financiare nuk i jep atij një avantazh konkurrues në tregun përkatës, për sa kohë, pavarësisht lehtësive në dukje, në këmbim shteti është bërë aksionar në shoqërinë investitore në masën 33 %, për rrjedhojë do të jetë pjesëmarrës në ndarjen e dividentit në po të njëjtën masë.
Në përfundim për arsyet e mësipërme, Gjykata vendosi, me shumicë votash, rrëzimin e kërkesës.


