Gjuha shqipe po humbet pastrinë, gjuhëtari tregon ndikimin negativ të fjalëve të huaja

Në Ditën Ndërkombëtare të Gjuhës Amtare, gjuhëtari Ali Jashari theksoi se përdorimi i fjalëve të huaja të panevojshme, gabimet drejtshkrimore dhe shtrembërimet sintaksore janë disa nga sfidat kryesore me të cilat po përballet gjuha shqipe.
Profesorët e Gjuhësisë dhe Letërsisë në Universitetin “Fan S. Noli” të Korçës vënë theksin te nevoja e kujdesit për gjuhën amtare në nivele të ndryshme arsimore, duke sugjeruar përmirësimin e cilësisë së teksteve shkollore, botimeve letërsore dhe atyre publicistike.
Gjuhtarët theksojnë se, përballë studentëve dhe nxënësve, është e nevojshme të bëhet një punë më e madhe për të afruar ata me gjuhën dhe letërsinë, duke përmirësuar ndërgjegjësimin dhe njohuritë e tyre.
Dita Ndërkombëtare e Gjuhëve Amtare ka si qëllim zhvillimin dhe ruajtjen e gjuhëve, duke i kushtuar një vëmendje të veçantë edhe gjuhëve të pakicave minoritare.
Në Korçë, një pjesë e rëndësishme e vëmendjes është fokusuar te frazeologjia, e cila konsiderohet si ashti i gjuhës shqipe dhe mbetet një nga strukturat më të forta të saj. Leksikografi Ali Jashari ka njoftuar për News24 se është duke u hartuar një Fjalor i Madh Frazeologjik, i cili do të përmbajë rreth 42 mijë shprehje dhe njësi frazeologjike.
Dita Ndërkombëtare e Gjuhës Amtare u shpall në vitin 1999 nga UNESCO, pas protestave të studentëve bengalezë në Universitetin "Dhaka", të cilët kërkonin mbrojtjen e gjuhës së tyre.


