Dalin shifrat, 43 mijë qytetarë shqiptarë humbën punën nga pandemia

Aktualitet

Dalin shifrat, 43 mijë qytetarë shqiptarë humbën punën

Përgjatë një viti pandemie shkalla e papunësisë në vend ka arritur në 11.8% me 43 mijë vende punë të humbura. Për ta rikthyer në normalitet ekonominë e vendit, guvernatori  i Bankës së Shqipërisë i rekomandon qeverisë forcimin e financave publike, përmirësimin e klimës së biznesit dhe rritjen e konkurrueshmërisë.

Megjithatë për Gent Sejkon, parashikohet që sektori i turizmit dhe shifrat në rënie të covid ta çojnë rritjen ekonomike për këtë vit në 5.3%.

Pasojat e pandemisë vijojnë të jenë të dukshme në ekonominë e vendit. Banka e Shqipërisë argumenton se rimëkëmbja ekonomike është e paplotë dhe faktorët që e mbështesin nuk janë ende të konsoliduar. Sipas guvernatorit Gent Sejko, sektori më i prekur, që prej vitit të kaluar, është punësimi, ku vihet re një rritje e papunësisë.

Për rrjedhojë, aktiviteti ekonomik në vend u tkurr me 3.3% gjatë vitit 2020, ekonomia shqiptare humbi rreth 43,000 vende pune, ndërsa shkalla e papunësisë u rrit në 11.8%. Po ashtu, ritmi i rritjes së pagave dhe të kostove të tjera të prodhimit erdhi në ngadalësim. E vetmja mundësi për rikthimin në normalitet të ekonomisë dhe nxitjen drejt rritjes së saj, sipas guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, është përshpejtimi i reformave nga ana e qeverisë.

Këshilli Mbikëqyrës gjen me vend të theksojë se normalizimi gradual i situatës ekonomike dhe forcimi i qëndrueshmërisë së rimëkëmbjes duhet të risjellin në fokus të vendimmarrësve nevojën e përshpejtimit të axhendës së reformave strukturore. Këto reforma duhet të synojnë rritjen e konkurrueshmërisë, përmirësimin e mëtejshëm të klimës së investimeve dhe të biznesit, si dhe forcimin afatgjatë të qëndrueshmërisë së financave publike.

Pritshmëritë e Bankës së Shqipërisë për këtë vit janë për një rritje ekonomike mbi parashikimet prej 5.3%, kjo e mbështetur nga sektori i turizmit dhe ecuria e deritanishme e shifrave të pandemisë.  Për një rimëkëmbje të qëndrueshme Sejko flet edhe për disa faktorë të tjerë.

Zgjerimi i aktivitetit pritet të udhëhiqet nga përshpejtimi i konsumit familjar, i eksportit të mallrave e të shërbimeve, si dhe nga investimet private në rritje. Në përgjigje të tyre, punësimi dhe pagat pritet të vijnë po ashtu në rritje, duke mundësuar kthimin e inflacionit në objektiv brenda vitit 2022.


Pavarësisht kësaj situate, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë vendosi të lerë të pandryshuar normën bazë të interesit, në nivelin 0.5%

ME TE LEXUARAT

NA SHKRUAJ

Portali Lajmifundit sjell Lajme nga Shqipëria, rajoni dhe bota në kohë rekord. Ju lutemi na kontaktoni nëse doni të kontribuoni me informacione të vlefshme për publikim në portalin tonë.

Kliko për më shumë informacion